Paketën anti-shpifje të iniciuar nga qeveria, kreu i PD, Lulzim Basha e quan paketa e anti-fjalës së lirë.
Gjatë fjalës së tij në forumin e Akademisë Politike të FRPD, Basha thotë se me këtë paketë ligjore, Rama kërkon të mbulojë dështimet e tij.
“Kjo qeveri dhe ky kryeministër këtë të mërkurë do të paraqesë në Parlament dy projekt ligje që janë asgjë më pak se shpallje lufte ndaj fjalës së lirë. Asgjë nuk është e rastësishme, asgjë nuk po ndodh në mënyrë të befasishme. Për vite me radhë Shqipëria ka rënë poshtë e më poshtë në indeksin e lirisë së medias. Kjo qeveri do të fshehë dhe maskojë dështimet dhe abuzimet e saj përmes pengimit të lirisë së fjalës dhe censurës së medias. Ja pse i duhet paketë e ashtuquajtur anti-shpifje, por në fakt është anti fjalë e lirë. I duhet për të penguar daljen ne shesh të aferave korruptive, të korrupsionit dhe hajdutërisë qeveritare që po shtohet dita ditës në Shqipëri edhe në këto ditë të emergjencës civile.
Nismat ligjore për të penguar lirinë e shprehjes kanë vetëm një qëllim, të manipulojnë, të mbajnë të fshehura të vërtetat e gjendjes së keqe ku e ka katandisur kjo qeverisje vendin”, tha Basha.
Beteja për votën e lirë është jetik për mirëqenien e qytetarëve, por edhe për avancimin e Shqipërisë drejt BE, vuri në dukje Basha.
“Të dashur të rinj dhe të reja nëse nuk arrijmë të sigurojmë votën e lirë, ti japim fuqinë e vendimmarrjes dhe kontrollit ndëshkimit dhe vlerësimit përmes votës së qytetarëve nuk do të kemi një qeveri të përgjegjshme që premtimet me të cilat merr votat ti bëjë realitet ose të largohet. Prandaj beteja jonë, beteja e çdo shqiptari për votën e lirë është jetike për mirëqenien e qytetarëve por edhe për avancimin e Shqipërisë drejt BE. Në kushtet e vendosura për Shqipërinë, garantimi i votës së lirë është kryesori dhe kjo nuk mund të realizohet pa ndëshkuar politikanët në bashkëpunim me krimin të cilët blenë votat dhe shkatërruan proceset zgjedhore të 2017 dhe 2016. Në kemi bërë propozimet tona, ne kemi ofruar bashkëpunimin tonë për reformën zgjedhore, tash 4 muaj me një qëllim për ti hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe lokale në një ditë”, deklaroi Basha.