Partia Demokratike organizoi këtë të hënë një tryezë për lirinë e medias për të kundërshtuar paketën anti-shpifje të propozuar nga qeveria. Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij, theksoi se mazhoranca do që t’i shohë mediat si shtojcë të pushtetit.
Me këtë ligj, sipas Bashës, qeveria do të asgjësojë një shtyllë të rëndësishme të demokracisë. Ai theksoi se ligji është vijë e kuqe nga PD dhe kur të vijë në pushtet do ta zhbëjë.
“Situata me të cilën media po ballafaqohet është një ofensivë kundër lirisë së shprehjes. Nuk jemi në pozita paternalizmi për t’iu marrë në krahët e opozitës. Pa lirinë e medias nuk ka liri politike. Këtu jemi si partnerë në një interes, në interesin e informimit të qytetarëve. Mosinformimi dhe keqinformimi është objektiv i qeverisë dhe Ramës, arrestimeve, presioneve financiare duke ngushtuar informimin. Kjo është një vijë e kuqe e papranueshme për ne Partine Demokratike dhe opozitën e bashkuar. Kjo është një luftë e shpallur kundër lirisë së medias. Qeveria po propozon një për të instaluar censurën. Objektivi ynë është t’i japim vendit një kuadër ligjor për t’i mbyllur derën tranzicionit ndaj medias dhe për ta zhvendosur në standarde europiane në praktika të autonomisë dhe lirisë së shprehjes. Nëse çmenduria çohet deri në fund në parlamentin e cunguar, opozita nuk do ta njohë dhe sapo të ketë mundësinë e qeverisjes për ta zhbërë këtë legjislacion bashkë me shoqatat e gazetareve të pezullojmë çdo mase te tille arbitare”, tha Basha.
Kreu i selisë blu, theksoi se kjo thirrje që bëri PD për këtë kauzë është e gazetarëve, medias, politikës, por mbi të gjitha e qytetarëve. Në tryezë marrin pjesë përfaqësues të medias dhe drejtuesit e koalicionit të opozitës.