Në një deklaratë për mediat këtë të martë, Monika Kryemadhi, kryetare e LSI shprehur qëndrimin e partisë që ajo drejton në lidhje me paketën anti-shpifje.
Kryemadhi tha se liria e shprehjes dhe demokracia në Shqipëri sot gjenden në buzë të greminës.
“Më lejoni që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të shpreh qëndrimin edhe njëherë të qartë për sa i përket paketës anti shprehje që Edi Rama ka çuar në Parlament. Liria e shprehjes dhe demokracia në Shqipëri sot gjenden në buzë të greminës. Edi Rama kërkon që të jetë e vetmja gojë që flet në Shqipëri. Ai tashmë i ka shpallur luftë çdo të vërtete, ngado që vjen ajo, nga goja e një qytetari, nga një media apo nga një politikan. I gjithë opinioni ndërkombëtar tashmë është shprehur qartë, OSBE dhe Këshilli i Europës. Pra nga një paketë anti shpifje e cila trumbetohet nga Edi Rama dhe falangat e tij, nuk mbetet gjë tjetër veçse të cilësohet si paketa anti shprehje. Edi Rama dënon çdo qytetar që kërkon të informohet nëse banesa e tij është e qëndrueshme apo e pa qëndrueshme pas tërmetit. Edi Rama dënon dhe arreston çdo qytetare që kërkon të informohet për sigurinë e jetës së saj. Edi Rama kërkon të dënojë dhe të arrestojë çdo portal dhe drejtues portali nëse denoncon korrupsionin, grabitjen apo mashtrimet e tij. Edi Rama kërcënon dhe kërkon të dënojë e arrestojë çdo politikan që denoncon korrupsionin dhe trafikun e tij”.
Më tej, kryetarja e LSI-së shprehet se Edi Rama tashmë është vendosur haptazi kundër Europës. “Ai tashmë po kundërshton dhe është në kundërshtim flagrant me direktivën evropiane për lirinë dhe rregullimin e mediave. Ky është një fakt tjetër i pakundërshtueshëm që tregon se axhenda e Edi Ramës është prej kohësh një axhendë anti-europiane dhe anti-shqiptare. Sot të gjithë shqiptarët që Edi Rama kërkon tu rrëmbejë lirinë e shprehjes, janë të gjithë së bashku, pasi gjithsecili ka se çfarë të thotë për këtë qeverisje të kriminalizuar dhe të korruptuar, pasi çdo e vërtetë që del sheshit, tregon qartë se përse shqiptarët braktisin Shqi8përinë e tyre dhe se përse Shqipëria është në një mjerim ekonomik. Se përse Edi Rama dhe oligarkët e tij s’kanë të ngopur me paratë e shqiptarëve. Mbështetja jonë është totale, qoftë për njerëzit e mediave, qoftë për përfaqësuesit e saj dhe për këdo që lufton për lirinë e shprehjes. Liria e shprehjes është ajo që bën ndarjen e demokracisë nga diktatura dhe kjo është një betejë e humbur e Edi Ramës, si çdo betejë që është e humbur përpara së vërtetës. Asnjë kompromis nuk ka dhe nuk do të ketë në këtë princip të shenjtë që bën ndryshimin midis njerëzve të lirë dhe skllevërve”, mbyllet reagimi i Kryemadhit.