Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mohuar akuzat e bëra ndaj tij nga ish-Kryeministri Sali Berisha se ka një pakt me Kryeministrin Edi Rama për projektin e Portit të Durrësit.
Gjatë një takimi me biznesmenë në Durrës, Basha tha se kjo akuzë është e gënjeshtërt dhe nuk ka asnjë pakt mes tij dhe Edi Ramës.
“Një nga arsyet kryesore pse sharlatanët ecin përpara në politikë jo vetëm në Shqipëri, është sepse përdorin një politikë që i bën njerëzit mos mendojnë, mos të logjikojnë, mos të arrijnë në përfundime të arsyetuara. I ushqejnë siç ushqehet fëmija në çerdhe, 2-vjeçari. Nuk logjikojnë. Dhe është ngritur një gënjeshtër sikur Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, e në veçanti unë dhe i pari i qeverisë kemi pakt për Portin e Durrësit. Kjo është një gënjeshtër e pastër.
Prej ditës së parë ne kemi qëndruar fuqimisht për transparencë dhe kundër asaj që e konsiderojmë një aferë. Pse e konsiderojmë një aferë? Se jemi kundër zhvillimit ne? Jo! Sa thonë që do investojnë aty këta? 3 miliardë? Ne duam të shohim 6 miliardë të investohen, 8 miliardë po të jetë e mundur, por ka një ndryshim.
Partia Demokratike është pro zhvillimit, zhvillimit të qëndrueshëm që krijon edhe vende pune gjatë zhvillimit, edhe perspektivë të qëndrueshme zhvillimi ekonomik të gjatë dhe nuk dëmton ato asete shekullore të Durrësit që janë logjistike portuale detare dhe hekurudhore. Që të bëhet kjo, kjo punë s’bëhet duke sjellë një sheik”, tha ndër të tjera Lulzim Basha.