Nënkryetari i PD-së Edi Paloka ka denoncuar dy raste të familjarëve të tij që kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19, por që nuk janë deklaruar të tillë në dokumentet zyrtare. Ai përmend rastin e pedagoges Irena Bogdani, e cila humbi jetën e Infektiv si pasojë e Coviud-19 dhe xhaxhait të tij që u mjekua dhe humbi jetën në shtëpi si pasojë e virusit.
“Brenda pak ditësh unë humba dy njerëz të dashur të rrethit tim familjar. Një prej tyre, ai i pedagoges Irena Bogdani, u bë publikisht i njohur, jo prej meje po për faktin që Irena ishte e njohur dhe e vlerësuar në profesionin e saj. Irena ishte vajza e tezes time dhe humbi jetën në spitalin Infektiv prej Covid-19.
Unë dua të falënderoj ata mjekë e personel mjekësor që u kujdesen për të deri në fund. I falenderoj dhe personalisht disa prej tyre që u impenjuan pavarësisht se nuk e kishin në ndjekje direkte. Po unë jam i bindur që asnjë prej atyre mjekëve që e ndoqën dhe e mjekuan për Covid, nuk e di që Irena nuk rezulton të ketë humbur jetën nga Covidi në asnjë dokument e komunikatë zyrtare. As në komunikatat e përditshme të Ministrisë e as në shifrat zyrtare të qeverisë…E pra kur fshihet një rast i tillë, çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë?
Nuk po merrem me rastin e xhaxhait që u mjekua në shtëpi dhe humbi jetën po në shtëpi, se jam i bindur që as nuk bëhet fjalë ta kenë shënuar në ndonjë dokument zyrtar”, shkruan Paloka.
Duke shprehur mirënjohjen për mjekët për të cilët PD-ja ka kërkuar kushte dhe shpërblim për sakrificat në këtë situatë pandemi, Paloka denoncon ata mjekë që sipas tij janë rreshtuar në mbrojtje të qeverisë. Dhe këtu u referohet deklaratave të mjekëve, pas akuzave të Bashës për fshehje të numrit të viktimave.
“U bënë sot disa deklarata për të kundërshtuar denoncimin e Bashës në “Opinion”, se qeveria po fsheh numrin e viktimave të Covid-19. Një herë u rreshtuan me urdhër partie zyrtarët QSUT-së e më pas dhe ministria. Të dyja deklaratat e prodhuara nga e njëjta dorë u bënë në emër të mjekëve, të cilët kinse i paska sulmuar Basha. Që këtu fillon pafytyrësia dhe e atyre që mbajnë diploma mjeku, kanë bërë dhe betimin e Hipokratit po në fakt bëjnë hipokritin e janë vënë në shërbim të partisë për të mbajtur karrigen e zyrtarit ku i ka ulur partia.
Të përdorësh disa zyrtarë që në “emër të mjekëve” dalin të mbrojnë qeverinë për aktet e saj kriminale, më e pakta është pafytyrësi. E përmenda më lart që ndjej neveri për ata që familjaret i përdorin publikisht për interesa politike, për këtë arsye kam heshtur deri sot. Po tani nuk mund të hesht më”, shprehet Paloka.