Bota Rritet numri i viktimave në Itali. Spitalet e Athinës përgatiten për më...

Rritet numri i viktimave në Itali. Spitalet e Athinës përgatiten për më të keqen

Bilanci italian i koronavirusit njeh sërish rritje. Sipas autoriteteve shëndetësore, të infektuarit e rinj janë 37242, kundër 36176 të ditës së djeshme. Rriten edhe viktimat, 699 në 24 orët e fundit, ndërkohë që dje ishin 653.

Shifra ende shumë të larta, edhe pse 4 rajone kanë ulur treguesin e infeksionit nën 1, dhe ndodhen jashtë fazës alarmante. Bëhet fjalë për rajone si Sardenja, Molise, Liguria dhe vetë Lacio, ku ndodhet edhe kryeqyteti italian, Roma.

Në monitorimin e përjavshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, asnjë rajon italian ka pësuar përkeqësim të theksuar të situatës, edhe pse Lombardia mbetet rajoni më i nxehtë me 9221 raste dhe 175 viktima vetëm gjatë ditës së sotme.

Stabilizohet kurba e koronavirusit në Britani: Mbi 20 mijë raste dhe 511 viktima

Kurba e valës së dytë të koronavirusit duket se po stabilizohet në Mbretërinë e Bashkuar, pas dy javësh të plota të bllokimit kombëtar në Angli. Kjo konfirmohet nga të dhënat e publikuara sot nga Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, me profesorët Jonathan Van-Tam dhe Stephen Poëis, këshilltarë mjekësorë të qeverisë së Boris Johnson. Sipas tyre në 24 orët e fundit infeksionet e reja ishin 20,252 në krahasim me një ditë më parë që ishin rreth 23,000, ndërsa numri i viktimave  511 në krahasim me dje që ishin 501.

Ndërkohë, numri i përgjithshëm i testeve ditore të përpunuara u rrit në pothuajse 400,000, një rekord absolut evropian. Ndërsa numri i viktimave i llogaritur që nga fillimi i pandemisë sipas parametrave të përbashkët për vendet e tjera tejkalon 54,000, piku i Evropës në numra absolutë, por më të ulët se Spanja, apo Belgjika dhe shumë afër Italisë në raport me popullsinë.

Spitalet e Athinës përgatiten për më të keqen

Ngopja e spitaleve në Selanik, qyteti i dytë më i madh i Greqisë, ka rritur presionin mbi shërbimet shëndetësore në Athinë, që i tremben një përhapjeje të pandemisë dhe po përgatiten për më të keqen, tha presidenti i spitalit “Voula”, Andréas Plemmenos.

Në kujdesin intensiv, vetëm 4% e shtretërve spitalorë kanë mbetur ende në dispozicion në Selanik dhe 20,5% në Athinë, sipas shifrave të lëshuara sot nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ne nuk jemi ende në kulmin e pandemisë në Greqi, situata mund të përkeqësohet dhe presioni do të jetë më i keq”, paralajmëroi ai.

Qeveria vuri në shërbim publik dy klinika private në Selanik, qyteti i dytë grek me një milion banorë, më i prekuri nga COVID-19, me një në tre persona të infektuar me virusin.

Por qeveria nuk përjashton transferimin e pacientëve në Athinë, e cila ka gati një të tretën e popullsisë greke (3,9 milionë banorë).

Sipas Plemmenos, për këtë arsye, presioni do të rritet në spitalet e Athinës dhe gjërat do të bëhen shumë më të vështira.