Zjarret në Australi mund të zgjasin edhe me muaj, ka deklaruar kryeministri i vendit Scott Morrison, i cili ka njoftuar angazhimin më të lartë ushtarak në histori. 3000 rezervistë do të zbresin në terren për përballimin e kësaj situate.
Kryeministri ka bërë me dije, po ashtu, se agjencia e rimëkëmbjes, e ngritur së fundmi, do të funksionoj për të paktën 2 vitet në vijim për të ndihmuar personat që kanë mbetur të pastrehë apo ata që humbën bizneset nga zjarret.
Fundjava ka shënuar momentet më të vështira të ferrit deri më tani, ku janë shkatërruar 1500 objekte. Shumë qytete janë mbuluar nga hiri e tymi, ndërsa në kryeqytetin e vendit, këtë fundjavë, cilësia e ajrit është vlerësuar në parametrat më të këqij të mundshëm në nivel global.
Ndërkohë, imazhe të tmerrshme janë publikuar teksa një kodër është e përfshira e tëra nga zjarri në një zonë rurale në Viktoroa.
Që nga fillimi i zjarreve në muajin shtator, numërohen 24 viktima dhe dhjetëra të zhdukur, ndërsa autoritetet deklarojnë se ditët e vështira për Australinë, nuk kanë mbaruar ende.