Janë publikuar pamjet e momenteve kur një nga anëtarët e grupit të trafikantëve që drejtohej nga Brikena Frakulli, i shesin një sasi heroine një klienti të tyre.
Tv Klan publikoi pamje të filmuara nga një kamera amatore gjatë shitjes së dozave të drogës në afërsi të Fakultetit të Inxhinierisë.
Takimi mes klientit dhe trafikantes kryhet në rrugë, pasi më herët kanë komunikuar me njëri-tjetrin në celular. Pasi merr dozën e heroinës, klienti largohet, ndërsa trafikantja i drejtohet bazës që ndodhej po në këtë zonë. Ajo është një banesë e përshtatur për të fshehur kokainën dhe heroinën që u sigurohej nga Frakulli.
49-vjeçarja nuk mjaftohej me shitjen e drogës nga anëtarët e grupit që drejtonte. Por ajo dilte dhe vetë për të shitur lëndën narkotike. Pas arrestimit u sekuestruan rreth 4 kg heroinë dhe 2 kg kokainë gati për shitje. Gjithashtu u gjetën dhe u sekuestruan 83.555 euro, 420.000 lekë të rinj, 2 automjete, 2 motoçikleta, 3 peshore elektronike dhe 4 aparate celulare.
Për 4 të arrestuarit, mes të cilëve dhe “koka” e grupit, Brikena Frakulli, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’. 49-vjeçarja u shpreh në seancë se trafiku drogës bëhej vetëm prej saj dhe se 3 të arrestuarit e tjerë nuk kanë asnjë lidhje.
“Çfarëdo që ka ndodhur me veprimtarinë për të cilën na akuzoni, kam përgjegjësinë unë, të arrestuarit e tjerë nuk kanë lidhje me këtë veprimtari”, – tha ndër të tjera Frakulli.
Mediat raportojnë se Frakulli është “thyer” dhe ka bashkëpunuar me autoritetet duke treguar se kush e furnizonte me kokainë dhe heroinë. Ndër të tjera ajo ka dhënë identitetin e plotë të personit që i sillte nga Kosova, sasinë që merrte dhe që më pas ajo i ndante në doza më të vogla dhe i tregtonte në Tiranë. Policia e kryeqytetit po bashkëpunon me atë të Kosovës për vënien ne pranga të këtij personi dhe zbërthimin e plote të skemës.