Shumë shtete rreth botës po përpiqen të lenë pas krahëve kapitullin e errët të koronavirusit, duke hedhur hapa gjithmonë e më të sigurt drejt rikthimit në normalitet.
Por OBSH paralajmëron se pandemia është ende larg fundit dhe se në 24 orët e fundit është shënuar numri më i lartë i rasteve të reja në rang global që prej shpërthimit të krizës.
Shefi i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus shprehet i shqetësuar për rritje të infektimeve në shtetet me të ardhura të ulta e të mesme, ndërsa 2/3 e rasteve ishin regjistruar në vetëm 4 vende.
“Gjatë 24 orëve të fundit, 106 mijë raste janë raportuar tek OBSH, numri më i lartë që prej shpërthimit të pandemisë. Gati 2/3 e rasteve janë në vetëm 4 vende”, tha kreu i OBSH.
Paralajmërimi i OBSH vjen ndërsa numri total i personave të prekur nga Covid-19 në botë i tejkaloi 5 milionë, ndërsa viktimat janë mbi 328 mijë.
1 milion infektime janë shënuar në më pak se dy javë. Ekspertët paralajmërojnë se shifra reale mund të jetë shumë më e lartë, ndërsa në shumë vende testimet janë të mangëta.
Shtetet e Bashkuara mbeten vendi më i prekur me mbi 1.5 milionë raste e 92 mijë vdekje. Amerika Latine po kontribuon fuqishëm në rritjen e shpejtë të shifrave, me Brazilin që është kthyer në epiqendër të pandemisë, me mbi 290 mijë raste dhe më shumë se 18 mijë e 800 vdekje.