Aktualitet Pandemia, në 2 javë policia ka vendosur 4857 gjoba

Pandemia, në 2 javë policia ka vendosur 4857 gjoba

Në harkun kohor të dy javëve, nga data 18 Prill deri më 2 Maj, Policia e Shtetit ka vendosur gjithsej 4857 gjoba në kuadër të aktit normativ gjatë pandemisë COVID-19.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 468 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim-qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.

Gjithashtu janë vendosur 691 masa administrative ndaj drejtuesve të automjeteve që nuk kanë respektuar urdhrin për të qarkulluar me jo më shumë se një pasagjer në automjet.

Në të gjithë territorin, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 3618 shtetas, pasi janë konstatuar duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, jashtë fashave orare të lejuara.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me gjobë 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 5 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe e lulishte.

6 persona janë ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, pasi kanë shkelur rregullat e vetëkarantinimit të detyrueshëm.

Në të gjithë vendin, për periudhën 18 Prill-2 Maj 2020, janë konstatuar 69 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është vendosur gjobë.

Në lidhje me lokalet, Policia e Shtetit apelon edhe njëherë që pronarët e lokaleve të ndjekin dhe zbatojnë me përpikmërinë masat kufizuese, pasi lokalet dhe bar–kafet, kudo që ato ndodhen, në pika karburanti apo vende të tjera, qoftë edhe me makineta, nuk janë të lejuara të hapen.