Shkojnë në mbi 20 mijë të vdekurit nga COVID-19 në Spanjë, ndërsa të prekurit janë rreth 191 mijë.
Vdekshmëria nga koronavirusi i ri në shtetin mesdhetar, rezulton të jetë gati 10.5 për qind e megjithatë shifrat vijojnë te jenë në rënie.
Të shtunën, autoritetet shëndetësore raportuan me pak vdekje të reja, 565 të tilla, ndërsa të shëruarit janë në total mbi 74 mijë. Por me gjithë sinjalet e përmirësimit gradual të krizës, Madridi paralajmëron se grumbullimet masive do të ndalohen në kryeqytet të paktën deri në vjeshtë.
Situata nuk do të mund të vihet plotësisht në kontroll, dhe ekziston mundësia e rindezjes së pandemisë, tha kryebashkiaku José Luis Martínez-Almeida. Gjermania, e cila tha të premten se e ka nën kontroll situatën, raportoi të shtunën rritje të rasteve të reja për te katërtën ditë radhazi.
Të dhënat e përditësuara të institutit Robert Koch flasin për mbi 3600 të infektuar në 24 orë, ndërsa vdekjet ishin 242. Në total virusi ka marrë mbi 4100 jetë njerëzish në Gjermani, megjithatë ministri i Shëndetësisë tha se që prej 12 prillit numri i pacientëve të shëruar ka qenë gjithmonë e më i lartë se infektimet e reja.
Franca regjistroi mbi 760 vdekje të tjera nga COVID-19, duke e çuar totalin në mbi 18 mijë e 600, bilanci i katërt më i lartë në botë. Megjithatë, numri i personave të shtruar në spital, ka rënë për të tretën ditë radhazi.
Në një tjetër sinjal se kufizimet e implementuara një muaj më parë po funksionojnë, autoritetet shëndetësore thanë se numri total i personave në terapi intensive është në rënie prej 9 ditësh, dhe arrin në vlerën më të ulët që prej 1 prillit.