Besimi është diçka e brishtë në tregjet financiarë. Ai mund të zhduket në çast e kjo është pikërisht ajo çfarë ndodhi në këtë situatë paniku në Wall Street.
Brenda 6 ditëve tregtimi S&P500 ka vajtur nga majat e çmimeve që kishte kapur, në një ulje tejet të theksuar (apo ndryshe, e njohur në terminologjinë angleze të tregut të aksioneve, “correction”) Kjo është një nga oshilacionet më të shpejtë që ka ndodhur në 70 vite histori sipas analistit të vjetër Howard Silverblatt i indeksit S&P500.
Frika pandemike ka fshirë 3.4 trilionë USD përgjatë këtij gjashtë ditëshi si dhe më shumë humbje priten të ndodhin sot të premten (duke marrë parasysh se ora në New York është 6 orë përpara orës sonë). Aksionet e ShBA-së janë në rrugën e të paturit të javës më të keqe që prej krizës financiare të 2008-s.
Wall Street po përgatitet të përllogarisë riskun dëmtimit ekonomik nga koronavirusi. Shitjet e smartphonave janë në rënie. MasterCard raporton gjithashtu një rënie në blerjet e konsumatorëve. Apple po përballet me mungesa të iPhonëve nga zinxhirët e saj të prodhimit si dhe Coca Cola shprehet se ka mungesa të sheqerit artificial.
“Koronavirusi po na tregon rrugën e papritur që një ekonomi mund të marrë kur një forcë e këtillë ekzogjene ndërpret rrjedhën e ekonomisë”, shprehet Minerd analist i CNN Business.
Këto humbje epike të S&P 500 dhe tregut të bursave janë të amplifikuara nga disa faktorë.
Fillimisht, S&P 500 kishte raportin më të lartë në 18 vite javën e kaluar të çmimit me fitimin për aksion (price-to-earnings ratio). Por tani duket se paniku nga ndikimi ekonomik i koronavirusit ka prekur fuqishëm e masivisht investitorët amerikanë, ndonëse me vonesë.
Një tjetër faktor është se investitorët nuk janë të trajnuar në shkencën e epidemive apo të informuar saktë mbi mënyrën se si ato funksionojnë e kjo krijon një gjendje frike nga e panjohura tek ata. Në ambiente si Wall Street investitorët zgjedhin t’i shesin aksionet fillimisht e më pas të bëjnë pyetje apo të marrin kohë e të informohen me detaje mbi efektet ekonomike të koronavirusit.
Ndërkohë Wall Street po përgatitet për fitime të ardhshme të ulta. E kjo si rezultati paralajmërimit të Goldman Sachs se rritja e fitimeve e 2020-ës të S&P 500 mund të fshihet nga dëmi që koronavirusi ka shkaktuar në zinxhirët e prodhimit dhe në kërkesën konsumatore.
Kjo tregon se mbase shitja masive e aksioneve gjatë këtyre ditëve nuk ka mbaruar akoma. RBC Capital Markets, kompani këshillimi financiare, është shprehur se S&P 500 mund të bjerë me 2700 apo 2900 pikë në të ardhmen e afërt.