Papa Francesku flet sërish për Luftë të Tretë Botërore në Ukrainë dhe kërkon ndaljen e menjëhershme të konfliktit. Në fjalimin vjetor për diplomatët e akredituar në Vatikan, ose siç konsiderohet jo zyrtarisht “fjalimi për gjendjen e botës”, kreu i Selisë së Shenjtë thotë se lufta si ajo në Ukrainë, që shënjestrojnë pa dallim zonat civile, janë krime kundër Zotit dhe njerëzimit.
“Sot, lufta e tretë botërore po zhvillohet në një botë të globalizuar ku konfliktet përfshijnë vetëm disa zona të planetit në mënyrë të drejtpërdrejtë, por në fakt na prekin të gjithëve. Lufta në Ukrainë po shkakton humbje jetësh jo vetëm me armë zjarri, por edhe përmes urisë dhe ngrirjes nga i ftohti. Çdo akt lufte që sjell shkatërrim në zona civile është krim kundër Zotit dhe njerëzimit, që meriton të dënohet në mënyrë të pangatërrueshme”, tha Papa.
Duke hequr paralele me krizën raketore në Kubë, në vitin 1962, Papa tha se kërcënimi bërthamor është rritur sërish dhe se bota është përfshirë nga frika dhe ankthi. Ai përsëriti thirrjen për ndalim të plotë të armëve nukleare, duke thënë se zotërimi i armëve të tilla për arsye parandalimi është imorale.
“Fatkeqësisht, sot, kërcënimi bërthamor është rritur dhe bota ndjen sërish frikë dhe ankth”, u shpreh Papa.
Luftimet në lindje të Ukrainës vijojnë të ashpra, me trupat ruse që po përpiqen të avancojnë. Sipas raportimeve nga autoritetet e instaluara nga Rusia në Donjetks, forcat ruse kanë marrë në duar qytetin e Bakhmut, edhe pse më herët presidenti Zelensky deklaroi se trupat e Kievit vazhdojnë të rezistojnë pavarësisht të gjithave.
Moska foli për një masakër ndaj ushtrisë ukrainase në Kramatorks, ku siç tha, mbi 600 ushtarë u vranë gjatë një ofensive raketore. Kievi përgënjeshtron versionin e Kremlinit duke i cilësuar pretendimet si të trilluara.