Ambasadorja amerikane Yuri Kim, tha se urdhri ekzekutiv i presidentit Joe Biden kundër një grupi të strukturuar kriminal në Kosovë, dhe një tjetri në El Salvador kanë pasoja shkatërrimtare për ata që kryejnë korrupsion apo minojnë demokracinë.
“Përcaktime publike të tilla ndonjëherë duan vite për t’u realizuar, por kur ndodhin janë shkatërruese. Nëse jeni të përfshirë në korrupsion apo përpjekje për të minuar demokracinë, tani është koha e duhur për t’u ndalur dhe për të marrë parasysh pasojat”, shkroi Kim në Twitter.
Ashtu siç e paralajmëroi disa ditë më parë me prezantimin e strategjisë së luftës kundër korrupsionit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj 16 personave dhe 12 entiteteve të ndryshme të përfshirë në aktivitet kriminal në vende të ndryshme të botës.
Mes organizatave të vendosura në listën e sanksioneve të Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja në Departamentin e Thesarit është dhe ajo e kriminelit serb Zvonko Veselinoviç, e cila operon kryesisht në veri të Kosovës.
Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.