Ashtu siç kanë bërë në mbi 4 muaj, banorët e “Astirit” kanë dalë sërish sot në protestë, duke bllokuar aksin që të çon nga Pallati me Shigjeta drejt sheshit “Shqiponja” në shenjë revolte kundër projektit të mbetur pezull për ndërtimin e “Unazës së Madhe” të Tiranës.
Por ndryshe nga herët e tjera, banorët e mbështetur nga ish-deputeti i PS, Klevis Balliu me megafonin e protestës kanë paralajmëruar përshkallëzimin e saj.
“Po mendojmë ta bllokojmë rrugën 24 orë”, ka thënë Dorian Protoduari, një prej protestuesve të “Unazës së Re” që për disa kohë u mbajt në burg nga polici.
Ndërkohë deputeti Klevis Balliu tha: “Gazit do ti përgjigjemi me gaz, flakës me flakë. Ka ardhur koha që pushteti i inkriminuar të ulë kokën para qytetarëve”.
Më herët gjatë ditës forcat e policisë së komisariatit nr. 6 në kryeqytet shoqëruan disa banorë të “Unazës së Re”.
Avokati i banorëve, Artan Manushaqe tha për gazetarët në ambientet e jashtme të komisariatit se, u pyetën nga policia për bllokimin e rrugës. Ai theksoi se deri në largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit, banorët do vazhdojnë protestat.
“Ne zotërinjve iu paraqitëm argumentet tona se nuk është bllokim rruge, por është një protestë paqësore në mbrojtje të banesave të pronave të të drejtave dhe lirive të garantuara nga Kushtetuta. Dhe do jemi në ‘Unazën e Re’ edhe në ditët në vijim, jo vetëm derisa ‘Unaza e Re’ të marrë një zgjidhje, sepse nga pikëpamja faktike ka marrë zgjidhje, se revolta qytetare nuk lejon bandat aty që të prishin banesat dhe pronat, por të marri dhe një zgjidhje në kuptimin e vendimmarrjes. Një vendimmarrje politike, derisa të largohet Edi Rama ne do jemi aty dhe në tërë Shqipërinë në çdo shesh e në çdo rrugë. Kjo është e garantuar kjo pjesë”, deklaroi avokati.