Autoritetet policore në Maliq kanë mundur të parandalojnë trafikimin e një vajze të mitur drejt Greqisë. Falë një operacioni të ndjekur me metoda speciale, policia shkatërroi një grup kriminal duke arrestuar 7 persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Në mesin e të prangosurve, policia thotë se është edhe pjesëtari i një organizate kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më parë në Greqi.
Të arrestuarit janë: “R.L, 33 vjeç, banues në Drithas, Maliq, (i dënuar më parë në Greqi për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja me armë”, vepra penale këto të kryera në kuadrin e organizatës kriminale); M.F, 37 vjeç, banues në Kakaç, Maliq; E.B, 34 vjeç, banues në Petrushë, Pogradec; R.M, 29 vjeçe, banuese në Kakaç, Maliq; E.K, 26 vjeç, banues në Zerec, Maliq; O.M, 39 vjeç, banues në Zerec, Maliq; Ç.F, 36 vjeç, banues në Kakaç, Maliq (i dënuar më parë për vjedhje) për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”; Si edhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit: L.P, 28 vjeç, banues në Shelcan, Elbasan”.
Nga hetimet e kryera policia thotë se është provuar se 5 nga personat më lart, (R.L, M.F, E.B, R.M dhe L.P), kishin planifikuar të trafikonin për qëllim prostitucioni në drejtim të Greqisë një vajzë të mitur.
Gjithashtu 4 prej tyre (R.L, M.F, E.K dhe O.M), në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kultivuar kanabis në territorin e fshatit Zerec të Maliqit, të cilat u asgjësuan gjatë operacionit dhe një pjesë u sekuestrua në cilësinë e provës material.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar gjithashtu, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë e ftohtë (thikë) e ngjashme me ato të Forcave të Ushtrisë, 2 granata dore ofensive dhe difensive, një sasi fishekësh luftarakë, kanabis, një sasi lekësh, dollarësh dhe eurosh, si edhe një automjet “Benz”.