Policia e Elbasanit ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me parandalimin e një vrasjeje që ishte planifikuar të bëhej këtë të premte nga një 23-vjeçar.
Sipas policisë i riu do vriste një shtetas me precedent kriminal, të cilin po e kërkonte për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet tyre.
Si rezultat i kontrollit të Policisë në terren, 23-vjeçari nuk mundi të kryente vrasjen. Në momentin që ai pa efektivët e policisë hodhi armën e zjarrit në rrugë dhe u largua për t’i shpëtuar kapjes.
Policia ka shpallur në kërkim edhe një shtetas tjetër, i dyshuar si bashkëpunëtor i 23-vjeçarit për kryerjen e kësaj vrasjeje.
Ndërkohë, kapet dhe vihet në pranga një 41-vjeçar, lidhje shoqërore e 23-vjeçari, pasi iu gjetën në banesë drogë, armë dhe municion luftarak.
Policia ka sekuestruar 2 armë zjarri, 1 kallashnikov dhe 1 PMSH, municion luftarak, lëndë narkotike cannabis sativa dhe një radio si të Policisë.
Policia vijon punën për kapjen e personave në kërkim, ndërkohë që materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.
“Shtetasi B. R., 23 vjeç, banues në Elbasan, në pamundësi për të realizuar planin e tij, si rezultat i presionit policor në terren, në lagjen “Qemal Stafa”, në rrugën “Tomorr Sinani”, ka hedhur armën e zjarrit në rrugë dhe është larguar. 23-vjeçari është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.
Shërbimet e Policisë, në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit B. B., 41 vjeç, banues në Elbasan, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatik PMSH, municion luftarak, rreth 300 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një radio si të Policisë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. B., si dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. R., 23 vjeç dhe K. S., 22 vjeç (22-vjeçari i dyshuar bashkëpunëtor i shtetasit B. R. për kryerjen e kësaj ngjarjeje kriminale)”, njoftoi policia.