Presidenti Ilir Meta priti në një takim në Presidencë dy qytetarë nga Kavajë të cilët dy ditë më parë parandaluan një vrasje duke neutralizuar një person të armatosur.
Kreu i Shtetit i konsideroi qytetarët e Kavajës, Ymer Xhafa dhe Bajram Shala si shembuj frymëzues që i duhen shoqërisë tonë për të reaguar kundër dhunës dhe krimit
Postimi i Presidentit Ilir Meta
“Kënaqësi e veçantë të takoja sot dy qytetarë të mrekullueshëm të Kavajës, z.Ymer Xhafa dhe z.Bajram Shala, të cilët dy ditë më parë rrezikuan jetën e tyre për të neutralizuar një shtetas të armatosur në qendër të qytetit, i cili plagosi një shtetas tjetër, ngjarje që mund të kthehej në një tragjedi të madhe. I falenderova përzemërsisht për aktin e tyre të lartë qytetar, në mbrojtje të jetës, paqes sociale dhe sigurisë publike. Shembuj të tillë frymëzues i duhen mbarë shoqërisë tonë, për të qëndruar larg konflikteve, dhe për të reaguar kundër dhunës, krimit por dhe indiferencës, që rrezikon jetën, pronën e sigurinë qytetare.”