Ndeshjet si titullar dhe pritjet vendimtare, ku ndeshja e fundit ishte ajo ndaj Fiorentinëës, e kanë bërë Tomas Strakoshën një prej më të kërkuarve në merkato. I ardhur nga të rinjtë e skuadrës kryeqytetase, talenti shqiptar po luan sezonin e tij të dytë si tutllar në Seria A, dhe po tregon aftësitë e tij fantastike.
Vetëm këtë sezon ai është aktivizuar 24 herë mes kampionatit e kupave, teksa ka pësuar 28 gola, e në 7 ndeshje ka arritur ta mbajë portën të paprekur.
Duke parë klasin e 22-vjeçarit, Lacio e ka blinduar Strakoshën me një rinovim deri në vitin 2022. Gjithsesi, pavarësisht vullnetit të presidentit Lotito për ta mbajtur në skuadër, në adresën e Lacios mund të vijnë shumë oferta nga klube të mëdha. Sajti italian, “calciomercato.it” ka analizuar skuadrat që mund të interesohen për Strakoshën.
I pari është Milani, që në rast shitje të Donarumës, do të kërkojë ta zëvendësojë me një portier po kaq të talentuar. Edhe pse Shezni po bën paraqitje dinjitoze me Juventusin, dhe shihet si pasardhës i Bufonit, “zonja” mund ta kërkojë Strakoshën pasi shqiptari është më i ri se polaku.
Edhe klube të tjera si Napoli, apo ekipe nga La Liga e Premier Liga, mund të shfaqin interes për Strakoshën, pasi cilësitë dhe reflekset nuk i mungojnë aspak.