Presidenti amerikan Donald Trump bën një parashikim të frikshëm për koronavirusin. Në një konferencë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, ai tha se 100–200 mijë persona mund të humbin jetën nga infektimi me COVID-19.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë u bëri thirrje banorëve të Nju Jorkut, qyteti që ka gjysmën e të infektuarve në shkallë kombëtare, por edhe gjithë shtetasve amerikanë, të respektojnë distancën sociale.
Kjo masë i detyron njerëzit që të mbajnë distancë nga njëri-tjetri dhe të mos qëndrojnë në grupe për të shmangur përhapjen e virusit. Tramp ripërsëriti se dy javët e ardhshme janë pika kulmore e luftës kundër koronavirusit. Shtetet e Bashkuara numërojnë aktualisht mbi 177 mijë të infektuar dhe më shumë se 4 mijë të vdekur.
Europa është kontinenti me më shumë viktima në gjithë botën, një shifër që së fundi ka kapërcyer mbi 30 mijë. Problematike situata aktualisht është në Spanjë, ku numri i të vdekurve në një ditë shënoi rekordin e ri prej 849 të vdekurish dhe afro 9 mijë të prekur. Në total, në Spanjë numërohen mbi 8400 viktima dhe afro 96 mijë të infektuar që prej fillimit të pandemisë.
Italia renditet në krye me mbi 12 mijë viktima dhe afro 106 mijë të infektuar prej fillimit të pandemisë. Megjithatë, shenjat janë që përhapja ka nisur të frenohet, pasi shifrat ditore të të infektuarve të rinj janë përgjysmuar në krahasim me pikun.
Me ritme të shpejta po shtohen të infektuarit edhe në Gjermani, ku tani numërohen mbi 67 mijë persona. Megjithatë vdekshmëria është më e ulëta në botë, rreth 1% e numrit të të prekurve dhe kjo sipas disa ekspertëve, falë numrit të lartë të analizave ditore. Në gjithë botën ka aktualisht mbi 640 mijë të infektuar dhe mbi 42 mijë viktima.