Deri të mërkurën duhet t’i gëzohemi rrezeve të diellit dhe temperaturave të larta për stinën në cilën ndodhemi sipas MeteoAlb, kjo pasi moti do jetë i qëndrueshëm dhe i ngrohtë.
“Situata e tablosë termike sot, nesër dhe në orët e paradites së ditës së mërkurë mbetet thuajse e njëjtë, pra do të kemi tre ditë të ngrohta. Duke filluar nga dita e enjte dhe deri në fund të javës ne presim një përmbysje të situatës termike dhe ndryshim total të temperaturave. Në fakt, kushtet e motit sot dhe nesër pritet që të jenë kryesisht me mot të kthjellët”, tha Lajda Porja.
Pas së mërkurës tabloja meteorologjike do të ndryshoje tërësisht duke sjellë vranësira dhe nga e enjtja edhe rrebeshe shiu në të gjithë vendin.
“Duke filluar që nga pjesa e dytë e ditës së mërkurë kemi fuqizim të vranësirave, e cila do të sjellë reshje duke u fuqizuar gjatë natës së mërkurë dhe dita e enjte do të bëjë që i gjithë territori të përjetojë reshje të konsiderueshme. Dita e enjte dhe orët e paradites së ditës së premte do të kenë reshje të ditëve të munguara me intensitet mesatar, lokalisht edhe intensiv, ku më i theksuar do të jenë kryesisht veriu dhe veriperëndimi, me sasi të mëdha të reshjeve. Situata e reshjeve do të mbetet prezente edhe ditën e shtunë, por do të ketë një përmirësim të ndjeshëm të tyre. Më problematike paraqitet dita e mërkurë gjatë natës, dita e enjte dhe orët e paradites së ditës së premte për sa i përket reshjeve, ku do të ketë edhe rrebeshe”.
Moti i paqëndrueshëm pas tre ditësh me reshje shiu dhe ulje të temperaturave do të dominojë dhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut.