Politika Mbledhjet e komisioneve do zhvillohen normalisht, deputetët duhet të jenë të vaksinuar

Mbledhjet e komisioneve do zhvillohen normalisht, deputetët duhet të jenë të vaksinuar

Kuvendi i Shqipërisë ka marrë sot vendimin për të zhvilluar me prezencë fizike të deputetëve Komisionet e Përhershme Parlamentare.

Në një vendim të marrë sot në Konferencën e Kryetarëve, mbledhjet do të zhvillohen si normalisht, por deputetët duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose test PCR të 48 orëve të fundit.

“Zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve të përhershme të Kuvendit duke respektuar distancimin fizik të deputetëve dhe masat e tjera mbrojtëse për parandalimin e përhapjes se infeksionit të shkaktuar nga Covid-19. Për të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve deputeti dorëzon pranë sekretarisë së komisionit certifikatën e vaksinimit ose testin PCR negativ të kryer jo më vonë se 48 orë përpara fillimit të mbledhjes”, thuhet në vendim.

Po ashtu theksohet se “me dakortësinë e kryesisë së komisionit parlamentar mbledhjet mund te zhvillohet edhe ne distancë nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik, me terminal të pavarur deri në përfundimin e gjendjes se epidemisë së shkaktuar nga Covid-19”.

Debati për zhvillimin e mbledhjeve në Komisionet Parlamentare ka zgjatur prej ditësh pasi opozita që në nisje të kësaj legjislature ka kërkuar që mbledhjet të zhvilloheshin me prezencë fizike.