Shqiptarët në Itali kane fuqizuar aktivitetin jo vetëm në trafikun e kanabisit, por edhe në atë të kokainës dhe drogërave të tjera të forta duke bërë aleancë me organizata kriminale si “Ndrangheta”.
Prokurori i Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho tha gjate vizitës se tij në Tiranë se paratë e krimit dhe drogës po investohen edhe në tendera.
“Shqiptarët nuk po trafikojnë vetëm marijuanë, hashash, por dhe kokainë. Kanë hyrë plotësisht në trafikun e kokainës dhe po operojnë me Ndraghetën dhe nga kjo aleancë kanë përfituar një zhvillim të jashtëzakonshëm në trafikun e drogërave të forta. Organizatat kriminale duke pasur një sasi të madhe parashë investojnë ku ka më shumë mundësi për të humbur prezencën e tyre, por edhe në Shqipëri. Nuk është e lehtë ta themi se në cilin sektor, por organizatat kriminale operojnë në pastrimin e parave edhe në marrjet e tenderave të ndryshëm”, Federico Cafiero De Raho
Ndërkohë pas takimit me prokurorin e Antimafias, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se janë 270 të dënuar me rrezikshmëri të lartë që do ti nënshtrohen regjimit të ri në burgje. Duke ndjekur modelin italian ata do të izolohen në qeli dhe nuk do të kenë mundësi kontakti.
Ndërsa, ambasadori i BE, Luigi Soreca tha se lufta kundër krimit, duhet të nisë me konfiskimin e pasurive të krijuara nga aktivitetet e jashtëligjshme.