Aktualitet Paratë e emigrantëve po i bëjnë shqiptarët dembelë

Paratë e emigrantëve po i bëjnë shqiptarët dembelë

Remitancat nxisin tek shqiptarët dëshirën për të mos punuar.

Ky është rezultati i një studimi të INSTAT nën firmën e Dorela Beqajt.

Remitancat duke qenë një ndër komponentët kryesorë të PBB-së për shumë vende në zhvillim dhe në tranzicion, janë burim kryesor të ardhurash për shumë familje nëpër botë.

Por janë ato të mjaftueshme që një familje të jetojë në mirëqënie? A nxisin këto të ardhura që nuk vijnë nga punësimi dëshirën për tu mjaftuar me gjërat tejet bazike për të jetuar dhe refuzimin e punës?

Statistikat e Bankës Botërore tregojnë se në vitin 2014 hyrjet globale të remitancave ishin 580 bilionë dollarë dhe numri i emigrantëve ndërkombëtarë në vitin 2013 ishte 247 milionë njerëz (sipas World Bank, 2017).

Pjesa mesatare që zënë remitancat në PBB-në e Shqipërisë nga viti 2005 deri në vitin 2014 (periudha e studimit) është 8,91 % (sipas Bank of Albania, 2017).

Në ato vite kur studimi është kryer norma e papunësisë ka variuar nga 13,2 % në 17,9 % gjatë periudhës 2007-2016 (sipas INSTAT, 2017).

Studimi është bazuar në 42,426 vëzhgime (anketa) në total.

Numri total i vëzhgimeve për kryefamiljarët është 12,160, të cilët janë marrë si referencë.
Prej të cilave numri i vëzhgimeve për 2009 është 5596 dhe numri i vëzhgimeve për 2014 është 6565.

Nga anketat ka rezultuar se mesatarja e të ardhurave nga remitancat në 12 muajt e fundit është 1.720.259 lekë të vjetra, e cila është afërsisht e njëvlershme me 1274 Euro. Kjo tregon se mesatarisht, një familje marrëse e remitancave merr 109 Euro ose 14.715 lekë në muaj. Në terma të pagës minimale në Shqipëri, e cila në kohën kur është bërë studimi ka qenë 230.000 lekë të vjetra në muaj, vlera mesatare e të ardhurave nga remitancat tejkalon gjysmën e një page mujore minimale.

Mosha mesatare e një kryefamiljari që përfiton nga remitancat ka rezultura 55.7 vjeç. Mesatarja e viteve të shkollimit të kryefamiljarit përfitues nga remitancat është 9.6, ndërsa minimumi dhe maksimumi janë midis 0 dhe 22 vite shkollimi.

Rezultatet e studimit demonstrojnë një ndikim pozitiv dhe statistikisht të rëndësishëm të remitancave në mosdashjen për të punuar tek familjet marrëse të të ardhurave nga familjarët që kanë në emigracion.

Rezultati i qendrueshëm i impaktit të remitancave mbi mosdashjen për të punuar në familjet marrëse të tyre në Shqipëri tregon se remitancat luajnë rolin e të ardhurave shtesë për këto familje.

Për këtë arsye, kërkesa e tyre për konsumin e kohës së lirë rritet dhe opsionet alternative si kujdesi për fëmijët në veçanti apo familjen në tërësi, bëhen më tërheqëse sesa puna, gjë e cila shpjegon rritjen e mosdashjes për të punuar.

Gjetja kryesore mund të shpjegohet edhe me anë të gjendjes së tregut të punës.
Shqipëria është një vend me nivele të larta papunësie dhe ky është një tregues i një tregu pune problematik, ku oferta për punë është më e lartë sesa kërkesa dhe për pasojë pagat nuk janë të larta.

Prandaj nxitjet për të punuar te individët që marrin remitanca janë të ulëta, duke marrë parasysh pagat e ulëta të ofruara në tregun e punës. Fakti që remitancat shoqërohen me një rritje të mosdashjes për të punuar mund të interpretohet në dy mënyra në kontekstin e ekonomisë shqiptare.

Interpretimi i parë do të ishte që një rritje në mosdashjen për të punuar është një pasojë negative, e cila përkthehet në rënie të fuqisë punëtore të vendit.

Nga ana tjetër, duke qenë se normat e papunësisë janë shumë të larta në Shqipëri, mbajtja e një pjese të njerëzve jashtë tregut të punës dhe sigurimi i të ardhurave të tyre nëpërmjet remitancave, mund të konsiderohet si një “mundësi” për ta për të mos qenë të papunë.
Në vend që të jenë vazhdimisht në kërkim të një pune dhe mosgjetja e saj, e cila do të shoqërohej me mungesë të ardhurash dhe varfëri për këta persona, ata mund të mbulojnë shpenzimet e tyre me anë të remitancave, duke mos u përballur me kushte të këqija jetese dhe varfëri.

Gjithsesi, në një këndvështirm afatgjatë, rritja e mosdashjes për të punuar nuk është një tregues i mire për ekonominë.

Në mënyrë që të zgjidhet ky problem, studimi sugjeron krijimin e politikave që rritin nxitjet e individëve për të krijuar dhe zhvilluar mikrosipërmarrje.

Një mjedis më i mirë për mikrosipërmarrjet, do të krijonte nxitje për familjet marrëse të remitancave që t’i investonin shumat e tyre dhe të krijonin më shumë të ardhura, si dhe për të ushtruar presion mbi tregun e punës.