Situata e vështirë nga tërmetet në Shqipëri nuk ka kaluar pa u vënë re edhe në vendet e huaja.
Shumë lojtarë apo figura të larta kanë dhënë mbështetjen e tyre për Shqipërinë, duke u solidarizuar për këtë që ndodh.
Një ndër to ka qenë edhe klubi italian i Napolit, ku aktivizohet mbrojtësi shkodran Elseid Hysaj. Madje raportohet se lëkundje të lehta janë ndjerë edhe në Napoli. Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, klubi i Serisë A është solidarizuar për situatën e krijuar teksa shkroi: “Jemi pranë popullit shqiptar të goditur gjatë natës nga një tërmet i rëndë”.
Ndërkohë së fundmi, dhjetëra tifozë i kanë propozuar presidencës së Napolit që të dhurojë të ardhurat e gjobave të vendosura së fundmi ndaj lojtarëve të kaltër për familjarët e viktimave të tërmetit në Shqipëri.
Nisma po merr formë, teksa nuk mungojnë komentet pozitive, që e aprovojnë këtë nismë solidarizuese.