Kjo ishte pamja e kryeqytetit francez mbrëmjen e së enjtes. Bllokime masive të rrugëve, dyqanet plot me njerëz dhe trafik i rënduar.
Qytetarët kishin vendosur të largoheshin nga Parisi për të shmangur orën 21:00 kur dhe hynte në fuqi ndalimi i qarkullimit, por edhe ditën e premte që do të aplikohen masa më shtrënguese, të vendosura nga Presidenti Macron për të ulur numrin e infektimeve me Covid.
Qytetarët kanë kaluar orë të tëra në automjetet e tyre për shkak të trafikut në të gjitha rrugët e Parisit.
Edhe në dyqane kishte fluks të qytetarëve, të cilët po blinin sa më shumë ushqime përpara se të hynte në fuqi ndalimi i qarkullimit.
Qeveria franceze ka vendosur sërish masa të ashpra bllokuese, njësoj si në periudhën Mars-Prill-Maj kur dhe u përhap pandemia në Europë.
Këto masa të vendosura nga Presidenti Macron do të qëndrojnë në fuqi të paktën deri më 1 Dhjetor dhe qytetarët që kapen në rrugë, do të duhet të justifikojnë arsyen e lëvizjes.