Kryesore Parlamenti miraton paketën “anti-shpifje”

Parlamenti miraton paketën “anti-shpifje”

Parlamenti ka miratuar ligjin e njohur si paketa “anti-shpifje” për median.

82 deputetë votuan pro këtij ligji, 13 kundër dhe 5 deputetë abstenuan.

Gjatë kohës që projekt-ligji po diskutohej, jashtë ambienteve të Kuvendit protestuan gazetarë dhe aktivistë.

Sipas tyre, ligji cënon lirinë e fjalës dhe mediat duhet të funksionojë mbi parimin e vetërregullimit.

Çfarë mban paketa anti-shpifje?

Ligjet e sapomiratuara për median i japin fuqi një organi të quajtur Këshilli i Ankesave brenda Autoritetit të Mediave Audiovizive që të gjykojë mbi përmbajtjen e mediave online, të vendosë gjoba menjëherë të ekzekutueshme dhe të heqë përmbajtjen e kontestuar nga faqet e tyre, pa një vendim gjykate.

Këshilli i Ankesave ngarkohet gjithashtu të luajë rolin e gjykatës në vlerësimin e ankesave dhe pretendimeve ndaj artikujve të publikuar dhe të detyrojë mediat që të publikojnë një formulë të gatshme ndjese ose përmes AKEP-it, urdhëron vendosjen e një njoftimi “pop up” në faqet e tyre.

Ligji e ngarkon Këshillin e Ankesave të vendosë gjoba të menjëhershme deri në 800 mijë lekë për shkeljet e konstatuara apo për moszbatim të vendimeve të Këshillit të Ankesave për të drejtën e përgjigjes. I vetmi kontribut i amendamenteve “Balla” për ligjet ishte rëndimi i njërës prej gjobave nga 400 mijë në 600 mijë lekë.

Mediat e ndëshkuara mund të ankohen në bordin e AMA-s ose në gjykatë kundër vendimeve. Megjithatë, ankimi ndaj vendimit të KA nuk e pezullon ekzekutimin e gjobës.