Duket se Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, e kryeministrit Zoran Zaev, edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 12 prillit, do të synojë votën shqiptare. Përfaqësues të kësaj partie tashmë kanë filluar aktivitetet partiake në zonat e banuara nga shqiptarët. Nënkryetari i LSDM-së, Muhamet Zekiri vizituan të premten në mbrëmje, së bashku me ministrin Oliver Spasovski, banorët e fshatit Mateç të komunës së Likovës.
Zekiri tha se kishin biseduar me banorët lidhur me projektet e realizuara nga qeveria dhe problemet me te cilet ballafaqohen qytetarët. Disa netë më parë LSDM-ja pati takime edhe me qytetarët e Tetovës, ku kërkoi hapur mbështetjen e shqiptarëve. Kostandin Kostandinov u foli qytetarëve për Tetovën e bashkuar, të gjithë së bashku maqedonas, shqiptarë, turq, vlleh, boshnjakë dhe të tjerë, me një qëllim, për të ndjekur rrugën e duhur.
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, LSDM-ja morri një numër të madh të votave shqiptare, ndërsa në zgjedhjet lokale fitoi Komunën e Haracinës. Po kështu, në zgjedhjen e Presidentit Stevo Pendarovski, votat e shqiptarëve bënë diferencën.
Analistë dhe komentues në Maqedoni thonë se grupimi i shqiptarëve në radhët e LSDM-së po shndërrohet në opozitë të vërtetë të partive shqiptare, të pozitës dhe opozitës dhe ndërkohë po forcohet krahu i shqiptarëve në LSDM, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare mendohet se ka fituar afër 1/3 e votave të përgjithshme të qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, nuk janë dhënë ndonjëherë shifra zyrtare sesa ishte vota e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në favor të LSDM-së së Zoran Zaev.