Sport Partizani: Akt terrorist ndaj tifozëve tanë. Pati bashkëpunim nga administratorët e stadiumit

Partizani: Akt terrorist ndaj tifozëve tanë. Pati bashkëpunim nga administratorët e stadiumit

Klubi i Futbollit Partizani ka denoncuar fuqimisht aktet e ndodhura në takimin Tirana-Partizani, i vlefshëm për javën e 6 të Kategorisë Superiore.

Me anë të një deklarate, klubi e ka konsideruar “akt terrorist të mbetur në tentativë” instalimin e një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit.

Partizani akuzon se një veprim i tillë i tifozerisë së Tiranës është i pamundur pa bashkëpunimin e administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”.

“Për të disatën herë klubi pritës vazhdon të dështojë në organizimin dhe mbarëvatjen e takimeve derbi. Përtej shfaqjes së banderolave skandaloze, agresionit fizik ndaj tifozerisë së kuqe, hedhjes së sendeve të forta dhe koreve ofenduese, këtë herë është kapërcyer çdo element i sigurisë së organizimit të një aktiviteti sportiv. Një akt i vërtetë terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”. Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë”, lexohet në deklaratën e KF Partizani.

“Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”. I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent”, theksohet në deklaratë.