Përmes një njoftimi zyrtar për mediet, ekipi kampion i Shqipërisë në futboll, Partizani ka informuar publikun për arsyet e largimit të trajnerit Skënder Gega nga drejtimi i skuadrës.
Edhe pse përbën një rast thuajse unik për futbollin shqiptar, teksa vetëm 3 ditë pas mbylljes së siparit të Kategorisë Superiore, e pas një feste të jashtëzakonshme për rikthimin te titulli që mungonte prej 26 vitesh, shkarkohet një trajner fitimtar, duket se shkaqet janë personale.
“Klubi i Futbollit Partizani falënderon trajnerin Skënder Gega për arritjen e fitimit të titullit të 16 Kampion të Shqipërisë, i cili u rikthye në shtëpi pas 26 vitesh. Trajneri Gega ka një meritë të padiskutueshme në arritjen e këtij suksesi fantastik. Falë kontributit, punës, sakrificës, përkushtimit dhe disiplinës, Gega arriti të krijonte një grup triumfues, duke fituar respektin e lojtarëve, stafit drejtues dhe tifozëve të shumtë të Partizanit”, shkruhet në komunikatën e klubit të kuq.
Largimi i trajnerit Gega ka ardhur për arsye personale, siç njoftoi klubi kryeqytetas, duke vendosur të ndërpresë me mirëkuptim kontratën mes dy palëve për të mos vijuar në drejtimin e “demave” edhe për sezonin e ardhshëm.
“Presidenti Gazment Demi dhe drejtori sportiv Olsi Rama dëshirojnë të falënderojnë trajnerin Skënder Gega, i cili pas suksesit si lojtar, arriti t’i dhurojë klubit një tjetër trofe kampioni edhe si trajner i Partizanit. Klubi falënderon trajnerin Skënder Gega për emocionet dhe performancën e shkëlqyer që ekipi regjistroi nën drejtim e tij”, përmbyllet deklarata për shtyp.
Versionin e klubit e ka konfirmuar edhe vet trajneri, i cili falënderon të gjithë, nga presidenti Demi, deri te tifozët për mbështetjen që i kanë dhënë.
“Prej një viti pata nderin dhe privilegjin të drejtoj Partizanin, ekipin ku unë fillova dhe e mbylla karrierën si futbollist. Këtë sezon, në krye të pankinës së ekipit Partizani ka qenë periudha më e bukur që unë kam përjetuar si trajner, e mbushur me plot emocione dhe kënaqësi. Pas 26 vitesh ia arritëm të rikthejmë trofeun kaq të munguar. Për arsye personale kam vendosur të mos të jem më në krye të pankinës. Dua të falënderoj klubin e Partizanit, presidentin Demi për besimin dhe mbështetjen e tij gjatë të gjithë kohës, drejtorin Olsi Rama për bashkëpunimin, të gjithë stafin, ekipin për punën dhe mbështetjen, për kënaqësinë që më dhuruan. Por, edhe tifozët e mrekullueshëm të Partizanit për mbështetjen”, shkruan Gega në një deklaratë të publikuar po ashtu nga faqja zyrtare e Partizanit në Facebook.