Supersfida e javës së 32-të të Kategorisë Superiore, ajo mes Partizanit dhe Kukësit në “Selman Stërmasi”, që konsiderohej edhe si një gjysmëhapi drejt titullit kampion, ka përfunduar në barazim 1-1, rezultat ky që më shumë sesa dy ekipet në fushë, gëzon kampionët në fuqi të Skënderbeut.
Ndeshja, për të cilën u desh edhe investimi i arbitrave të huaj, konkretisht sllovenit Jug, për shkak të mosbesimit që shfaqën dy ekipet rivale për titull ndaj gjyqtarëve vendas, edhe për shkak të presionit të madh që përbënte ky 90-minutësh në kuadër të objektivave sezonalë, la sërish në krye me pikë të barabarta Kukësin dhe Partizanin, me nga 66 secili, por me verilindorët në avantazh të përballjeve direkte, ndërkohë që Skënderbeu, nëse do të fitojë ditën e shtunë ndaj Vllaznisë në Korçë, do t’u afrohet me vetëm një pikë diferencë dy kryesuesve.
Sfida e “Selman Stërmasit” u zhbllokua në minutën e 21-të nga verilindorët, të cilët gjetën rrugën e rrjetës me anë të Dverkoniviç, e me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë e takimit. Partizani hyri me një marsh më shumë në 45-minutëshin e dytë, duke barazuar shifrat vetëm 30 sekonda pas rifillimit të lojës, këtë herë falë një autogoli të Ylli Shametit të Kukësit.
Në pjesën e mbetur të sfidës, kryeqytetasit e kërkuan më shumë golin e fitores, madje patën një rast të artë në minutën e tretë shtesë, por që nuk u shfrytëzua siç duhej.
Me këtë barazim, Kukësi vijon të mbetet i pamposhtur në këtë sezon të Superiores, ndërsa çështja e titullit mbetet ende “peng”, ndoshta i dy javëve të fundit, kur të dyjave skuadrave do t’u duhet të ndeshen me Skënderbeun. Verilindorët presin korçarët në Kukës javën e parafundit, ndërsa “ujqërit e dëborës” do të presin më pas në Korçë ekipin e Partizanit, në 90-minutëshin e fundit të kampionatit.
Takimi nisi me një minutë heshtjeje në nder të legjendës së “të kuqve”, Gjergji Thaka, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, pranë fotos së të cilit vendosën lule të dyja ekipet.