“Nuk di çfarë është shkruar e spekuluar, por di t’ju them që policia do të jetë aty dhe ndeshja do të luhej”, shprehet Veliaj.
Për herë të parë në një intervistë për Top Channel, kryetari i Bashkisë së Tiranës thekson edhe një herë bindjen e tij për marrëveshjen e arritur mes klubit Tirana dhe Partizani, ku vetë Veliaj ishte negociator.
“Ky është një vend ku katoliku uron Bajramin në xhami dhe myslimani uron Krishtlindjet në kishë. Kemi simbol hapjen dhe nuk ka sens që të diskutojmë nëse një klub do të lejojë apo jo një tjetër të luaj në një stadium”, shprehet kreu i Bashkisë së Tiranës.
Por marrëveshja nuk ka qenë e thjeshtë. Një nga faktorët bindës ka qenë borxhi prej 2 mln dollarë që bashkia është zotuar t’i paguajë klubit Tirana.
“Ky është një nga borxhet që ne do të paguajmë me këste. Rid Halili po shkrin paratë e familjes së tij. Kur futesh në sipërmarrje të tilla je edhe pak i çmendur dhe unë besoj edhe Ridi edhe Gazi janë pak aventurier se në këtë biznes asnjëherë nuk i dihet”, thotë Veliaj.
Bashkia e Tiranës është duke menduar që t’i gjej një zgjidhje 34% të aksioneve që ka tek klubi bardheblu, të cilit është gati t’i kalojë edhe asetet nëse do t’i paraqitet një projekt.
“Ne do të donim që të gjitha aksionet dhe vendimmarrja t’i kalojë presidentit të klubit apo aksionerëve. Për aksionet tona kemi sinjalizuar edhe tifozët nëse duan të bëhen aksionerë siç janë tek Barcelona. Tirana e mori stadiumin e gatshëm, Partizanit i duhet ta bëj, por unë jam shumë i gatshëm për asetet që ka bashkia nëse ka një projekt konkret”.
Gjithashtu, në kontratën e përpiluar një ndër kushtet që Tirana ka kërkuar është që pjesa e tribunës D2, aty ku qëndrojnë tifozët e Tiranës, të mos lejohet të ulet tifozeria e Partizanit apo tifozeri tjetër. Gjithashtu, klubi i kuq kryeqytetas do të paguaj 400 mijë lekë për zhvillimin e një ndeshjeje. Ndërkohë me ndriçim artificial çmimi do të jetë 500 mijë lekë për ndeshje.
Intervista e plotë
TCH: Pas arritjes së marrëveshjes për stadiumin, tashmë kemi një tjetër ngërç. Mund të na thoni diçka për këtë situatë të krijuar?
Erion Veliaj: Unë e bëj me shumë dashuri të qenit kryetar i Bashkisë së Tiranës, jo prej postit, por prej qytetit. Tirana është qyteti më i madhe dhe shtëpia e shumicës së qytetarëve. Kjo do të thotë se ky është një qytet që e ka hapur derën dhe për një tropojan dhe për një gjirokastrit dhe për një korçar dhe për një shkodran. Historia e suksesit të qytetit tonë është te hapja e qytetit, është te përqafimi i tjetrit, jo te largimi, është te qyteti që ndërton ura, jo te qyteti që ndërton mure. Dhe historia e vendit tonë është historia e një vendi të hapur. Ky është një vend ku katoliku shkon dhe uron Bajramin në xhami, ky është një vend ku myslimani shkon dhe uron Krishtlindjen në kishë. Pra, në një vend që e ks shtëpinë e hapur simbolin e tij, si ka mundësi që ne diskutojmë ende që një ekip e lë një tjetër të luajë? Kjo nuk ka sens. Këtu bëhet fjalë për një minorancë shumë të vogël. Unë e respektoj mendimin e tyre, por janë në minorancë dhe nuk mund t’i imponohen një qytetit të tërë. Unë mbaj mend historinë e këndit të lodra, ku fakti që një minorancë bënte zhurmë dhe shkaktonte zhurmë nuk do të thotë që ka të drejtë. Po të ishte kështu, meqenëse stadiumi është quajtur gjithmonë “Dinamo”, atëherë duhet të dilnin tifozët e Dinamos dhe të thoshin që aty të mos luajë as Tirana dhe as Partizani. Kjo logjikë nuk funksionon. Ky qytet i ka hapur dyert për të gjithë. Unë besoj që shumica e qytetarëve kanë mirëkuptim. Bëhet fjalë për një situatë të jashtëzakonshme, ku stadiumi kombëtar është në rikonstruksion, ku qyteti dhe bashkia ja ka dhënë vetëm një ekipi. Që në fillim ishte një vendim jo demokratik duke ja dhënë stadiumin vetëm një ekipi. St, po të ngrihej Dinamo dhe të fliste për traditë i bijë që ti ngelet Dinamos. Duhet të mos harrojmë diçka, është ndërtuar nga të përndjekurit dhe njerëz që kanë qenë të burgosur, është ndërtuar me gjak dhe me djersë të qytetarëve të Tiranës që është mbajtur gjithë këto vite me taksat e qytetit. Jo vetëm tifozët e Tiranës, Partizanit dhe të Dinamos paguajnë taksa në Tiranë, por sot taksa paguajnë edhe tifozët e Farkës, të Dajtit. Të gjithë kemi kontribuar që Tirana të jetë kjo që është sot. Është shumë e arsyeshme që të gjithë të kenë një pjesë të mundësisë dhe të përfitimit. E jo më në rastin konkret kur kjo bëhet edhe me pagesë. Ndaj këshilla ime është të kujtojmë se çfarë na nderon në Tiranë. Ne jemi në një situatë ku krenohemi kur dikush i fal gjakun tjetrit. Ndërkohë që në kryeqytetin e shqiptarëve nuk arrijmë dot të dallojmë se çfarë është tifozeri 90 minuta dhe një pasioni me zemër për ekipin që gjithsecili dashuron, por ama në fund të ditës kur mbaron ndeshja ne jemi të gjithë qytetarë të Tiranës. Në fund të fundit ka më shumë gjëra që na bashkojnë se ato që na ndajnë.
TCH: Megjithatë, sa e vështirë ishte arritja e marrëveshjes mes dy presidentëve? Në një kohë kur Tirana është një skuadër ndër më të mëdhatë, por edhe më me shumë borxhe, e cila ishte edhe një nga ato pikat që ju diskutuat në atë takim…
Erion Veliaj: Jam shumë i ndërgjegjshëm që bashkinë e trashëgova jo vetëm me borxhe te ekipi i futbollit, në fakt ai është borxhi më i vogël. Unë jam mësuar me të gjithë këto çudira, por nuk kam zgjedhur të bëjë vajtuesin, por them të gjejmë një mënyrë se si të ecim përpara. Në Tirana çdo ditë do të bëjmë një punë konkrete dhe çdo ditë do të lajmë një borxh, si çdo familje që kërkon të bëjë një punë të mirë çdo ditë. Ndaj, ky është një nga borxhet që kemi pranuar ta lajmë. Nuk i kemi ato para kesh brenda ditës, por kemi bërë një skedul, ku çdo muaj do të paguajmë këstet, për të cilat po dakordësohen zyrat tona juridike. Halili është një zotëri i shkëlqyer, që bën një punë me shumë sakrificë. Kur kam parë skenat e dhunës së tifozëve ndaj presidentit të klubit, e sidomos ndaj lojtarëve m’u dhimbsën. Unë nuk jam tifoz as i njërës e as i tjetrës, por jam tifoz i lojës, madje luaj edhe vetëm në kalçeto. Ndaj, unë e di sa sakrifikon ai njeri për të mbajtur klubin, duke shkrirë edhe pasurinë e familjes së tij. Në këtë situatë, mu duk gjithçka e pa ndershme dhe e padrejtë gjithë ai agresion për një zotëri që meriton mirënjohje. Unë i uroj atij më të mirën dhe jam solidar me të në këtë përpjekje. Unë di të them se tironsit e vërtetë dhe ata që realisht ju dhemb zemra për Tiranën e kuptojnë se llogaria dhe çmimi që dikush po paguan është më shumë se sa paratë. Ai ka dhënë të gjithë jetën dhe familjen në dispozicion dhe meriton vetëm respekt. Zotëria tjetër, Gaz Demi, gjithashtu një xhentëlmen. Kur hyn në sipërmarrje të tilla je dhe pak i çmendur dhe unë mendoj se të dy presidentët janë pak aventurierë. Në dallim nga një tjetër biznes, i cili ka një plan biznesi, këtu loja është e hapur. Asnjëri nuk e di si shkon, a del në finale, a rikuperohen një pjesë e financave nga kualifikimi në garat europiane. Kështu që ata e zgjidhën se dy zotërinj të vërtetë. Një mirëkuptim në një kohë shumë të përkohshme kundrejt një pagese që i shkonte një stadiumi tjetër. Më mirë ato para t’i shkojnë Tiranës. Një mënyrë për këta tifozë që duan të shkatërrojnë Partizanit, është t’i marrësh paratë dhe t’i përdorësh diku tjetër, për të marrë lojtarë që nesër të mundësh Partizanin. Sa është lojë dhe pasion është edhe biznes dhe llogari. Çdo gjë ka një kufi, ka një masë. U shpreh ajo pakënaqësi, u kalua caku, por kaq. Tani jemi të gjithë të qetë e të gjithë qytetarë të Tiranës.
TCH: Ju patët një vëmendje të madhe edhe ndaj kontratës që ka bashkia me klubin e Tiranës. Mos ndoshta është një kontratë që duhet rishikuar, duke përfshirë këtu edhe asetet?
Erion Veliaj: Ne e kemi një diskutim, sa i përket aksioneve. Ne do të donim që të gjitha aksionet dhe vendimmarrja t’i shkojë presidentit të klubit, apo grupit të aksionerëve si do ta vlerësojnë. Unë i kam bërë propozime edhe tifozerive duke i thënë se nëse duan ta bëjnë si Barcelona, ku tifozëritë kanë aksione, jam i hapur edhe për këtë. Pra, t’ja jap atë pjesë të aksioneve tifozëve, duke qenë se jemi në minorancë. Kështu, duke qenë në minorancë, duhet t’i vijë isos së vendimmarrjes së shumicës, duke qenë se nuk vendos dot vetë. Dhe kështu është shumë e rëndësishme që të jenë në një dorë, ose tifozëria me presidentin ose të gjitha presidenti ose ndonjë tjetër ortak që mund të vijë. Ne e kemi më të lehtë ta japin si grant dhe të themi se kush janë ekipe në Superiore do marrin x shumë, kush janë në Kategorinë e Parë një tjetër shumë. Po kështu edhe në sportet e tjera. Marrëveshjet kontraktuake gjithmonë po bëhen më të vështira, ku merkatoja e futbollit lëviz shumë shpejt, ndërkohë burokracia bashkisë për vendimmarrje mund të zgjasë edhe sa kanë përfunduar dy kampionate dhe kjo nuk ka sens.
TCH: Partizani, duke qenë se është një klub i qytetit, pak kohë më parë nga qeveria i është dhënë një hapësirë toke, ku po ndërtojnë një stadium. Ndoshta nga asetet e Tiranës, a ka një lloj mundësie apo a është menduar diçka siç është kjo e Partizanit, një “dhuratë” nga bashkia nga asetet?
Erion Veliaj: Ne jemi shumë të hapur nëse ka një propozim konkret. Nëse Partizani po ndërton atë kompleks është se nuk e ka një stadium si ai “Dinamo”. Ndoshta kjo është edhe arsyeja që u bë ai kompensim për t’i dhënë atë mundësi siç e ka edhe Tirana, e cila e mori stadium të gatshëm, ndërsa ata do të duhet ta ndërtojnë. Por unë jam shumë i hapur me asetet që ka bashkia, nëse ka një propozim konkret për të bërë diçka konkrete. Për një kryetar bashkie nuk ka diçka më të mirë se të ndërtojë sa më shumë stadiume apo terrene sportive. Është e njëjta mënyrë që ne i kundërvihemi një problemi që ne kemi me smogun, me shëndetin në qytet. Ndaj, janë të gjithë të mirëpritur kush ka një ide për të bërë një stadium apo terrene sportive, jam shumë i gatshëm të eksplorojmë çfarë asetesh kemi dhe t’i vëmë në dispozicion.
TCH: Ju thatë që po shqyrtoni mundësinë e dhënies së aksioneve, për të patur një lloj forme të re. Ndërkohë që po t’i hedhësh një sy shoqërisë aksionere Tirana në QKR ka një sërë vendimesh për bllokime për shkak të borxheve. Është ndoshta edhe klubi me më shumë borxhe. Të vjen keq për këtë situatë, ku ndoshta edhe bashkia nuk e ka mundësinë për t’i zgjidhur këto probleme? Nuk e di nëse mund të më shpjegoni edhe mënyrë se si do të paguhen borxhet…
Erion Veliaj: Mua më vjen keq për shumë gjëra në këtë bashkie. Për katër vitet e Bashës nuk u dha çeku i bebes. Sigurisht që më vjen keq, takoj njerëz çdo ditë, të cilët më thonë; ne që lindëm në kohën e atij të gjumit, nuk do t’i marrim paratë? Por si mund t’ja shpjegosh një nëne që duhet të ishin futur në buxhet. Ne nuk mund ta fusim në buxhetin e tanishëm shpërblimin për një bebe që lindi në 2013-n. Sigurish që më vjen keq, edhe për mos pasjen e bursave për nxënësit e ekselencës. Sigurisht që nuk ndjehem mirë që gjej një faturë 2 milionë euro ta papaguar. Tani kam dy mundësi, o ta vajtojë këtë situatë, ose të gjej një mundësi si të ecim përpara dhe e vetmja mundësi si të ecim përpara është teksa po rrisim të ardhurat me to duhet të lajmë edhe disa borxhe. Ndaj dhe besoj se është shumë e rëndësishme të kuptojmë se në çfarë situate jemi dhe duke parë rrethanat ne të bëjmë më të mirën. Kështu që ndeshje e Partizanit me Vllazninë do të luhet në “Selman Stërmasi”, policia do të jetë aty për të garantuar sigurinë publike. I gjithë ky debat ishte edhe një mësim për t’u rritur pak, për t’u treguar pak më të pjekur dhe për të kuptuar që gjërat që na bashkojnë janë më të mëdha se sa ato që na ndajnë.
TCH: Policia refuzoi marrjen përsipër të sigurisë në këtë ndeshje, ndërkohë që ju nuk jeni “molla e sherrit” në fakt. Si mendoni se do të zgjidhet kjo çështje për organizimin e ndeshjes?
Erion Veliaj: Ndeshja do të luhet dhe policia do të jetë aty për të dhënë siguri. Nuk kam lexuar se çfarë është thënë dhe spekuluar, por di të ju them se policia do të jetë aty për të garantuar siguri.
TCH: Ju do të jeni në stadium në derbi?
Erion Veliaj: Jam munduar t’i rri larg stadiumin, jo se më mungon zelli, por se e kuptoj se pasionet janë të tilla që po shkove te ndeshja e njërit duhet të shkosh edhe te ndeshja e tjetrit. Për sa kohë unë nuk jam një tifoz aktiv, por më pëlqen loja, më duken shumë simpatike tifozeritë me gjërat që organizojnë, shumë e këndshme. Por gjithmonë jam treguar gjithmonë i kujdesshëm që të mos identifikohem. Më ka qëlluar dy tre herë në stadium, ku ti bën një foto me një tifoz apo me një tjetër dhe shpërthen emocioni i një pale ose një tjetre. Unë mendohem të jem i kujdesshëm, derisa ne të arrijmë një nivel pjekurie, ku do të duhet të shkojmë në stadium jo për t’u identifikuar me një palë, por thjesht se na pëlqen loja. Kështu që do ta bëjë sërish.