Pas 11 vitesh pritje, Milano kuqezi risjell në shtëpi trengjyrëshin.
Milan është shpallur kampion i Italisë për herë të 19 në histori. Në ndeshjen ndaj Sassuolos, kuqezinjve i mjaftonte edhe një barazim për të fituar titullin në Serinë A, por ekipi i Piolit e nisi me vrull ndeshjen dhe e mbylli pjesën e parë me rezultatin e thellë 3-0.
Në 45 minutat e para, Olivier Giroud shënoi dy gola, ndërkohë që Kessie, në ndeshjen e tij të fundit me Milanin, shënoi edhe të tretin. Në të trija rastet, asisti erdhi nga Rafael Leao.
Në pjesën e dytë, Milan uli ritmin dhe rezultati nuk ndryshoi.
Ndërkohë, Inter bëri detyrën, duke fituar ndaj Sampdoria me rezultatin 3-0. Perisic dhe Correa (2) ishin autorët e golave për zikaltrit, që e mbyllën kampionatin në vendin e dytë, dy pikë pas kampionëve të Milanit.