Sport Pas 22 vitesh dhe 18 trofesh, Eto’o lë futbollin

Pas 22 vitesh dhe 18 trofesh, Eto’o lë futbollin

Ish-sulmuesi i Barcelona-s dhe Inter-it, Samuel Eto’o ka vendosur të lërë futbollin pas një karrierë të shkëlqyer që zgjati më shumë se dy dekada.

38-vjeçari nisi të luajë te Real Madrid kur ishte adoleshent, por më pas u shndërrua në një legjendë të rivalëve të përjetshëm, Barcelona, me të cilët fitoi edhe dy trofe të Champions League. Ai luajti gjithashtu me Mallorca-n, Inter-in, ku ishte pjesë e tripletës së trofeve të vitit 2010, por edhe me Chelsea, Everton, Anzhi Makachkhala dhe Sampdoria.

Në “Camp Nou”, kamerunasi fitoi edhe tre tituj kampion. Pas pesë vitesh aty u transferua në Milano nën urdhrat e Jose Mourinho, ku siguroi edhe trofeun e tretë personal të Champions League.

Largimin nga futbolli i luajtur, sulmuesi e njoftoi përmes një postimi në Instagram të premten, ku shkroi: “Fundi. Tani drejt sfidave të reja. Faleminderit të gjithëve, ju dua shumë”. Në fillim të vitit ishte larguar edhe nga skuadra e fundit me të cilën po luante, Qatar SC.

Ndeshjen e parë me kombëtaren e Kamerunit e luajti një ditë para se të mbushte 16 vjeç. Do të shënonte në total 56 gola në 118 takime, duke fituar dy herë Kupën e Kombeve të Afrikës dhe medaljen e artë në Lojërat Olimpike në vitin 2000.