Një studim 5-vjeçar në thellësi të Atlantikut ka zbuluar 12 specie të reja. Myshqet e detit, molusqet dhe koralet i ishin shmangur zbulimit, sepse fundi i detit është kaq i pashkelur, thonë shkencëtarët.
Studiuesit paralajmërojnë se kafshët e sapo zbuluara mund të kërcënohen nga ndryshimi i klimës.
Dioksidi i karbonit i thithur nga oqeani po e bën atë më acid, duke bërë që skeletet e koraleve të gërryhen në veçanti.
Shkencëtarët theksuan se nuk ishte shumë vonë për të mbrojtur këto specie të veçanta dhe habitatet e rëndësishme që ata zënë.
Ekipi gjeti gjithashtu afërsisht 35 të dhëna të specieve në zona ku ato ishin të panjohura më parë.
Ngrohja e oqeanit, acidifikimi dhe ulja e disponueshmërisë së ushqimit do të kombinohen për të zhvendosur ndjeshëm dhe për të zvogëluar disponueshmërinë e habitateve të përshtatshme për speciet në thellësi të detit deri në vitin 2100.
Shkencëtarët zbuluan një zonë të burimeve të nxehta në fund të detit në Azore. Fushat hidrotermale janë zona të rëndësishme të produktivitetit biologjik relativisht të lartë, që strehojnë komunitete komplekse në mes të oqeanit të gjerë e të thellë.
“Ne mund të themi se kemi harta më të mira të sipërfaqes së Hënës dhe Marsit, sesa të fundit të detit”, tha Prof. George Wolff nga Universiteti i Liverpulit.
“Sa herë shkoni në thellësi të oqeanit, ju gjeni diçka të re, jo vetëm specie individuale, por ekosisteme të tëra.”
Projekti u drejtuar nga Prof. Murray Roberts nga Universiteti i Edinburgut, i cili u shpreh për BBC se në gati pesë vjet eksplorim dhe hetim ishin zbuluar disa vende të veçanta në oqean.
“Ne gjetëm bashkësi të tëra të formuara nga sfungjerë ose korale të thella oqeanike që formojnë qytetet në thellësi të detit. Peshqit me të vërtetë të rëndësishëm përdorin këto vende si pjellore. “Nëse ato qytete janë dëmtuar nga përdorimet shkatërruese të njerëzve, ata peshq nuk kanë ku të pjellin dhe funksioni i atyre gjithë ekosistemeve humbet për brezat e ardhshëm”, shpjegoi ai.
Projekti përfshiu studiues nga 13 vende përreth Atlantikut, duke kombinuar kiminë dhe fizikën e oqeanit, si dhe zbulimin biologjik, për të kuptuar se si ambienti oqeanik po ndryshon, ndërsa ngrohja globale dhe njerëzit shfrytëzojnë më shumë detin e thellë për peshkim dhe nxjerrjen e mineraleve.