Ekspozita “Work” (Puna) e cila vazhdon të qëndrojë e hapur për publikun në Galerinë Carlier Gebauer në Berlin, e kryeministrit Edi Rama, tashmë do të udhëtojë drejt Spanjës. Gazeta Shqip online mëson se kjo ekspozitë së shpejti do të jetë në Cale Salorenco në Madrid.
Ekspozita është pritur mirë nga media dhe kritika në Gjermani, që gjejnë tek kryeministri shqiptar artistin e angazhuar. Kuratori Hans Ulrich Obrist, është shprehur për punët e kryeministrit se, “arti nuk është i ndarë nga politika në punët e tij”.
“Rama nuk e sheh artin si një luks, por si një element thelbësor në një shoqëri funksionale, të cilën ai e përmbledh në mënyrë të drejtë në thënien e tij “kultura është infrastrukturë, nuk është sipërfaqe e thjeshtë” , shprehet Obrist.
Gjithë ekspozita ka lindur në momente pune, mbi tryezën e zyrës së tij, ku në fletë të takimeve zyrtare ai ka vizatuar imazhe që ravijëzojnë një realitet tjetër përtej politikës. Krijuar në një ambient të pushtetit shtetëror, këto vizatime mund të shihen si një formë e lirimit psikik dhe mund të lexohen si një ditar abstrakt i llojit – një rekord dinamik i jetës politike.”
Unë thjesht gjatë kohës së punës vizatoj, vizatoj gjatë takimeve, vizatoj gjatë telefonatave, gjatë momenteve të pauzave dhe është një proces krejt i natyrshëm, ku dora ndjek njërin sy dhe njëri sy ndjek dorën, ndërkohë që vëmendja është e gjitha e përqendruar tek diskutimet, tek puna, tek vendimet për t’u marrë, tek çështjet për t’u adresuar”, do të shprehej Rama gjatë hapjes së ekspozitës.