Nga Bedri Islami
Ditët e fundit është ndezur rishtas debati për figurën e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. As mendja më paranojake nuk e kishte shkuar ndër mend 27 vite më parë se rreth staturës së Heroit Kombëtar do të viheshin dyshime, pikëpyetje, do të mohohej roli i tij në historinë e kombit, do të çirreshin gjithëfarë korbash rreth tij dhe, në fund, njerëz dinjitozë që mbështetnin kokën në shpatullat e tyre, si Moikom Zeqo apo Rudina Xhunga, do të kërcënoheshin me jetë.
Nuk kishte ndodhur kurrë më parë një gjë e tillë dhe, për më tepër, edhe kur figura të njohura kanë mbrojtur disa aspekte të jetës së Enver Hoxhës, miti i të cilit synohej të rrëzohej bashkë me statujën e tij, përsëri askush nuk është kërcënuar, jeta e askujt nuk është vënë në rrezik, edhe kur gjërat kanë qenë shumë më të ndezura se sa sot.
Si duket mllefi i ekstremistëve islamë, pjesë e një lëvizjeje vahabiste që po rritet nën hundën e qeverisë, më shumë se me figurën e Hoxhës, është zemëruar me staturën e Gjergj Kastriotit, duke dashur të përmbysin gjithçka që nga rrënjët.
Jam i bindur se të gjithë ata bashkë nuk kanë as një të mijtën e dinjitetit të Moikom Zeqos apo të Rudina Xhungës, të cilët, veç e veç e së bashku, i bëjnë nder vendit tonë.
Por, më shumë se me dy a më shumë figura intelektualësh, ekstremi islam e ka me rrënjët tona, pikërisht me njërin nga themelvënësit e tyre, Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, njeriu i cili krijoi jo rastësisht mitin e tij dhe, përmes saj ngriti kultin e një kombi luftëtarësh. Gjergji nuk është zgjedhur rastësisht, pasi, duke mos qenë i vetmi që iu është kundërvënë pushtimit osman, tani është i vetmi që sulmohet dhe prediktet fondamentaliste ekstreme kanë zgjedhur majën, duke hedhur në erë rrënjët. Ata mund të kapeshin edhe me Dukagjinët që e vazhduan veprën e tij, edhe me Aranitët që e kishin nisur më herët, edhe me Moisi Golemin që herë bëhej musliman e herë tjetër kthehej në besimin e të parëve. Atyre u duhet Gjergji për të ngritur Hamzanë, ashtu si nesër do u duhet goditja e Ismail Qemalit për të ngritur Esat Toptanin, histori e cila ka filluar.
Sipas Fan Nolit, edhe më herët, pas vdekjes së tij, gjithëfarë ekstremesh i janë vërsulur Kastriotit të madh, më pas janë tërhequr, pasi vetë statura e Skenderbeut ka qenë më e madhe se sa gjithë përbaltjet që i janë hedhur.
Në historinë tonë evropiane ne kemi vetëm një hero, me të cilin mund të mburremi, Gjergjin , dhe, vetëm një shenjtore që na përafron edhe më shumë me qytetërimin, Gonxhe Bojaxhiun. Nëse ata kanë qenë të besimit të krishterë, kjo nuk i bën dëm askujt, përkundrazi, është shenjë civilizimi i një populli që, edhe pse në shumicë u kthye në besimin islam, përsëri gjeti ndjenjën e duhur për t’i bërë vendin që duhej. Nëse atdheu i tyre nuk do u kishte lënë vendin e duhur në vetë jetën e tij, askush në botën e civilizuar nuk do të mund të linte gjurmë të mëtejshme.
Skenderbeun, si burrë shteti dhe figurë madhore historike, jo rastësisht,e kanë respektuar të gjitha qeveritë, që nga ato të pa zyrtarizuara, siç ishin Rilindësit, tek qeveria provizore e vitit 1912, deri tek Zogu dhe Enver Hoxha. Asnjëri prej tyre nuk ka synuar të hedhë poshtë çka ishte ngritur në qindra vite, në të kundërtën, të gjithë kanë synuar të krijojnë bindjen e përafrimit me të, një ngjashmëri të dytë, e kjo ka rrjedhur deri tek Sali Berisha. Gjergji ka qenë ëndrra e tyre e paarritshme dhe kështu do të mbetet për secilin që do të vijë.
Por jo çdo gjë është kaq e zakonshme, thjeshtë një vërbëri politike apo mllef fetar. Është shumë përtej tyre.
Ka disa kohë që mllefi ndaj së djeshmes është përhapur si vemje. Nëse fillesa ishte Enver Hoxha, fundi Kastrioti, mes tyre do të jenë shumë figura të tjera, politike apo shkencore, të cilët, jo vetëm u bënë gur themeli për një shtet të emancipuar, por edhe shenjë jete e shprese.
Interesant është se kur ato u duhen, kur e ndjejnë se duhen mbështetur tek statura e tyre njerëzore, politike e shkencore, ata i thërrasin në ndihmë, u drejtohen, mbështeten dhe kërkojnë të jenë në linjën e tyre.
Jo shumë kohë më parë u ndez, kësaj here nga radikalë politikë ose të paidentitet, gjurmët e të cilëve shkruhen në ujë, një figurë tjetër madhore, kësaj here nga bota e letrave, Dritëroi. U sulmua verbërisht, sipas një mllefi që kanë vetëm ata që nuk ndjejnë se statura e tyre është nën hijet dhe se njeriu përballë tyre është edhe përtej jetëvdekjes.
Asaj kohe Akadenia e Shekncave heshti, ose më saktë, ata që i drejtohen tani atij, heshtuan. Sepse menduan , duke u rrëzuar Dritëroi, do të ngrihen ata, do të jenë pjesë e triumfit dhe se, pas tyre, nuk do të ketë të tjerë.
Tani, që Dritëroi i duhet, kur mendimi i tij është edhe tani shumë para tyre, e thërrasin në ndihmë,ndoshta edhe e devijojnë mendimin e tij, e kthehjnë në kohë dhe e bëjnë lajtmotiv, por harrojnë se kur duhet të binin këmbanat, kanë heshtur.
Nuk ka ndodhur vetëm në një rast. Mohimi i kohës, vlerave dhe lartësive, është një thirrje drejt territ, njëlloj si është terri islamik, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me dritën e besimit islam.
Le të themi se vahabistët e salafaistët shqiptarë e rrëzuan Gjergjin, bashkë me heshtjen akademike dhe të vërtetën historike. Po pastaj? Kush mbeti, cili mund të jetë aty, në sheshi që mban emërin e Skenderbeut, cilin hero të kemi dhe me se do e mbajmë gjallë kujtesën kombëtare?
Shqipëria, kështu si është dhe ashtu si ka qenë, e sigurtë edhe se si do të jetë, do e ketë mit dhe kult figurën e Skenderbeut, do e ketë me gjithë zemërimin e imamëve periferikë, por që kur sulmojnë kthehen në ulërima ujqërish.
Shteti turk, nëse përmes rrymave ekstreme, mendon se mund të ndryshojë këtë vendin dhe të bëjë riosmanizimin e tij, do të jetë thellësisht i gabuar dhe, për më tepër, lidhjet e herëshme, do të shkërmoqen.
Nuk besoj se vetë institucioni i shtetit turk qëndron pas tyre që të kujtojnë Haxhi Qamilin dhe thirrjen e tij “ duam babën”, ashtu si nuk të thërmojnë njerëzit që u bënë vlera kombëtare për të ngritur një Esat pashë, për të risjellë një Hamza apo për të bërë të mirëkuptuar të gjithë ata që në momentet vendimtare i kthyen pushkën atdheut.
Lëvizja radikale islame nuk e ka për gjë edhe nëse i vendos një ekran shumë më të madh përmendores së Gjergjit, por nuk mund të mohojnë faktin se ai quhej Gjergj, se ishte i krishterë dhe se është Heroi Ynë kombëtar.
Ai qëndron përtej sherreve të përditshme, mërive e mllefeve ekstremiste.
Nëse të gjithë mund të rishikohen, ai është i parishikueshëm. Pesë shekuj kanë bërë vendin për të.
Nëse, le të themi, ai ikën, kush mbetët? Radikalët islamë, një lloj ISIS në brendësi të një vendi që aspiron për Evropë dhe që duan ta rikthejnë në një botë prej së cilës është ndarë jo nga dëshira e xhonturqëve, por nga ëndrra rilindase.