Bota Pas Greqisë, Erdogan i tregon “dhëmbët” edhe Francës

Pas Greqisë, Erdogan i tregon “dhëmbët” edhe Francës

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka akuzuar homologun e tij francez Emmanuel Macron për qëllime “koloniale” në Liban, ndërsa e quajti vizitën e tij të fundit në Bejrut si një “spektakël”, mes tensioneve midis Ankarasë dhe Parisit.

“Ajo që dëshiron Macron është të rivendosë rendin kolonial (në Liban)”, tha Erdogan gjatë një fjalimi në Ankara ditën e enjte.

“Ne nuk jemi për të ndjekur fotografitë ose për të bërë spektakle para kamerave, kjo nuk është ajo që na intereson“, shtoi ai.

Kreu i shtetit turk ishte duke iu referuar vizitës së Macronit në Bejrut javën e kaluar, pas shpërthimit shkatërrues të 4 gushtit, i cili deri më tani ka lënë 171 të vdekur dhe më shumë se 6.500 të plagosur, duke shkatërruar pjesë të mëdha të kryeqytetit libanez.

Sulmet e Erdoganit ndaj Macronit vijnë në një kohë tensionesh në rritje midis Turqisë dhe Francës, të lidhura me interesat divergjente në Libi dhe Mesdheun lindor.

Gjithashtu, kërkimi i Turqisë për gaz në një zonë të pretenduar nga Greqia dhe Qipro ka zemëruar fqinjët e saj dhe Bashkimin Europian.

Duke mbështetur Athinën, Parisi denoncoi veprimet “e njëanshme” të Ankarasë dhe njoftoi të enjten se përkohësisht kishte forcuar praninë e saj ushtarake në ujërat e diskutueshme në Mesdheun lindor, me vendosjen e dy aeroplanëve dhe dy anijeve luftarake.

Mediat turke pro-qeveritare kanë reaguar ndërkohë duke akuzuar Francën për “tejkalimin e vijës së kuqe” dhe “kërkimin e luftës”.

Erdogan nuk e komentoi drejtpërdrejt vendimin francez të enjten, por ai tha se “një vend i cili nuk ka bregdet në Mesdheun Lindor po e shtyn Greqinë të ndërmarrë veprime të gabuara”, duke i bërë thirrje Macronit “të mos besojë më shumë se ç’duhet në vetvete”.