Një vit më parë, Presidenti rus Vladimir Putin fitoi në një proces elektoral që u cilësua si “zgjedhje të pista”. Përballë kandidatësh të dobët, disa prej të cilëve mendohet se ishin kukulla të Kremlinit për t’i dhënë procesit pamjen e një konkurrence më serioze, zoti Putin u shfaq triumfator, duke u shprehur para përkrahësve të mbledhur me flamuj pranë Sheshit të Kuq të Moskës se “na pret suksesi”.
Por tani që mbeten vetëm pak javë nga një-vjetori i rizgjedhjes së tij, presidenti rus përballet me zhgënjim në rritje në popullatë dhe rënie të popullaritetit. Në një anketë të fundit, thuajse gjysma e të anketuarve thanë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar.
Putin, që ka qenë në pushtet që pas Boris Jelcinit në 1999, pritej të fitonte vjet, në një proces zgjedhor që ishte caktuar të përkonte me katër vjetorin e aneksimit të Krimesë nga Rusia. Shumë votues pro-Putinit të intervistuar nga Zëri i Amerikës vjet thanë se e përkrahnin pasi kishte rikthyer fuqinë e Rusisë dhe kishte transformuar vendin nga një fuqi rajonale në një aktor ndërkombëtar.
Por klima politike në vend ka ndryshuar që nga ajo kohë; aventurizmi në politikën e jashtme nuk ka më të njëjtin efekt, thonë analistët.
Në fjalimin e tij para parlamentit të mërkurën, udhëheqësi rus u duk se e kishte pranuar këtë fakt dhe nuk u ndal shumë tek politika e jashtme në dallim nga një vit më parë. Këtë vit ai u përqendrua tek politika e brendshme.
Në përgjigje të padurimit publik për problemet ekonomike në vend, zoti Putin u zotua të rrisë shpenzimet për zhvillim dhe programet sociale si përfitime për fëmijët dhe ulje taksash për familjet. Ai premtoi se rritja ekonomike do të kalonte 3% brenda vitit 2021.
“Falë punës prej vitesh dhe rezultateve të arritura, tani mund t’i drejtojmë burimet financiare dhe ambiciet tona drejt zhvillimit të vendit,” tha Putin.
Nëse me këto premtime do të arrijë të përmirësojë popullaritetin mbetet për t’u parë. Analistët thonë se rusët nuk pritet të kënaqen thjesht me fjalë kur është në diskutim cilësia e jetës dhe shërbimet publike. Ata përballen me probleme të përditshme reale si siguria e jetës në ndërtesa banimi jashtë standardit, si dhe mbeturinat që nuk mblidhen pasi landfillet janë të tejmbushura.
Vitin e kaluar mijëra vetë protestuan kur dhjetëra fëmijë në Volokolamsk pranë Moskës u sëmurën si rezultat, mendohet, i helmimit nga gazet toksike që lëshonte një landfill aty pranë.
Në të kaluarën, Presidenti Putin shfrytëzonte aventurizmin në politikën e jashtme për të ndrequr rënien e popullaritetit, por kjo nuk funksionon më thotë analisti Mikhail Dmitriev.
Ai thotë se anketat tregojnë se Kremlini ka përpara disa muaj të vështirë dhe se protestat dhe zemërimi popullor pritet të shtohen jo thjesht mes skeptikëve të Kremlinit në radhët e klasës së mesme, por edhe në zonat rurale e në qytete të vogla që tradicionalisht kanë qenë mbështetja kryesore e Vladimir Putinit.
Rritja e moshës së pensionit vjet solli rënie të popullaritetit për presidentin rus. Ulja e rrogave dhe problemet ekonomike e kanë dëmtuar më tej popullaritetin e tij. Të ardhurat në vlerë reale kanë rënë mbi 10% që nga viti 2014 dhe afro 40% e rusëve thonë se mirëqënia materiale është keqësuar gjatë 12 muajve të fundit.
Alexander Baunov i Qendrës “Carnegie” të Moskës shkruante në një koment redaksional disa ditë më parë se punëtorët e thjeshtë po bëhen më të paduruar me dështimet e Kremlinit për të sjellë përmirësim të standardit të jetesës, siç pat premtuar zoti Putin në fushatë.
“Ai po hyn gjithnjë e më shpesh në zënka me rusë të thjeshtë lidhur me politikat e tij. Në shtator, kur po vizitonte kantierin detar Zvezda në Lindjen e Largët ruse, filloi të zihej me punëtorët lidhur me rrogat,” thotë analisti Baunov.
Analisti shton se sistemi i vënë në funksionim nga Presidenti Putin vazhdon të dëshmojë mangësi të reja dhe se presidenti rus nuk do të jetë në gjendje të përmbushë premtimin për një ndarje më të drejtë të të mirave materiale “në kurriz të kapitalistëve të pasur në vend”. Fakti është që kapitalistë e pasur, për të cilët flet presidenti rus janë miq të tij dhe biznesmenë të fuqishëm me lidhje të ngushta me Kremlinin.