Bota Pas zhdukjes disa javore, shkarkohet Ministri i Jashtëm kinez

Pas zhdukjes disa javore, shkarkohet Ministri i Jashtëm kinez

Pas disa javësh mungesë në daljet publike, Kina ka zëvendësuar ministrin e Jashtëm. Lëvizja e kryediplomatit kinez pa dhënë argumente shihet si një shkarkim.

Kina ka zëvendësuar ministrin e jashtëm. Diplomati Qin Gang mësohet se është larguar të hënën nga detyra dhe u zëvendësua nga paraardhësi i tij në këtë post, Uang Yi. Gang, i cili ka qenë për shumë vite ambasador i Pekinit në Uashington prej disa javësh nuk është shfaqur në publik.

Prej një muaj ai nuk ka bërë asnjë deklaratë publike si dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë takim ndërkombëtar. Në një samit të Azisë të ministrave të jashtëm, pak ditë më parë, Pekini dërgoi si përfaqësues zëvendësministrin e Jashtëm.

Lëvizja e papritur e krye diplomateve u votua nga Komiteti i Jashtëm i Kongresit Popullor të Kinës. Kjo procedurë e re emërimi është një dalje nga rregulli i mënyrës sesi Pekini emëron ministrat e jashtëm. Ministri i ri që mori detyrën ka mbajtur të njëjtin post nga viti 2013 deri në vitin 2022.

Ndërkohë ende mbetet mister fatit i diplomatit Gang, i cili shihej si një person kyç në marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përveç karrierës së gjatë në diplomati, ministri i zhdukur prej disa ditësh njihej dhe si një mik i afërt i presidentit kinez.