Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mesditën e sotme në sheshin “Skënderbej”.
Teksa e gjithë vëmendja ishte e përqendruar te zgjedhjet parlamentare, një makinë është futur në sheshin Skënderbej, dhe ka rrezikuar të përplasë qytetarët.
Megjithatë, ai arriti të ndalej nga një i ri që quhet Klodian Elqeni dhe mund të konsiderohet heroi i ditës. Klodiani deklaroi se arriti të futej në makinë duke u hedhur me të dyja këmbët nga dera e pasagjerit dhe duke neutralizuar më pas shoferin.
“Erdhi një makinë e aksidentuar drejt turmës së njerëzve në një mënyrë shumë të rrezikshme. Iu hodha me të dyja këmbët në xham, nga dera e pasagjerit, dhe e neutralizova për momentin. E mbajtën qytetarët, policia, se di kush ka qenë tjetër. Hedhjen nuk e di si e bëra. E ndjeva, e bëra! Më shtyu jeta e njerëzve të pafajshëm, nuk meriton askush që të vdesë në sheshin Skënderbej pa asnjë arsye. I kam rënë me dy këmbët në fytyrë dhe është shtrirë, pastaj e kanë kapur. Makina ishte në ecje”, deklaroi Klodi, i riu i cili parandaloi një ngjarje që mund të kishte marrë përmasa fatale.
Ai thotë se e ndjeu të nevojshme të vepronte pasi pa fëmijë dhe njerëz në rrezik.
“Kisha dalë për qejf, për kafe. M’u duk aq nevojshme ndërhyrja kur shikoja fëmijë e njerëz në rrezik. Të rrezikosh për shumë është diçka që ja vlen”, është shprehur 22-vjeçari.
Klodiani tregoi edhe për takimin me kryeministrin, ndërsa u shpreh se Rama e falenderoi dhe ai ndihet shumë krenar për gjestin heroik që bëri.
“Kryeministri më falenderoi, na pritën të gjithë shumë mirë dhe jam shumë krenar”, tha 22-vjeçari.
Blutë e Tiranës sqarojnë se agresori Arben Mema, i cili tashmë është arrestuar dhe ndodhet në ambientet e Komisariatit 1.
Po ashtu bëhet me dije se verifikimet paraprake të Policisë nuk ka persona të lënduar dhe dyshohet se drejtuesi i mjetit është nën efektin e lëndëve narkotike, ndaj dhe ka bërë manovrat e rrezikshme.