Kryesore Kim mesazh politikanëve nga Durrësi: Pranoni rezultatin e zgjedhjeve

Kim mesazh politikanëve nga Durrësi: Pranoni rezultatin e zgjedhjeve

Ambasadorja Yuri Kim e shoqëruar nga ambasadori Soreca kanë parë nga afër dhe procesin e votimit në Durrës.

Kim në një deklaratë për mediat u shpreh se procesi ka shkuar i qetë dhe bëri thirrje për liderët politik dhe të gjithë kandidatët që të pranojnë rezultatin zgjedhor në fund.

“Jemi shumë të kënaqur që jemi në Durrës. Kemi vizituar shumë qytete dhe kemi parë pjesë marrje të lartë në votime, Kjo tregon se shqiptarëve u intereson vendi i tyre. E di që janë raportuar disa incidente, por tashmë autoritetet duhet të hetojnë. Prokurorët të hetojnë deri në fund. Qytetarët po bëjnë detyrën e tyre. Tani ka ardhur koha që kandidatët dhe drejtuesit politik të presin rezultatet dhe të pranojnë gjykimin e popullit”, tha diplomatja.

Ndërsa ambasadori i delegacionit të BE në vendin tonë, Luigi Soreca, u bëri thirrje qytetarëve që nuk kanë votuar ende, që ta përmbushin këtë të drejtë të tyre, por njëkohësisht edhe detyrim kushtetues.

Ndër të tjera, ai kërkoi nga liderët politikë që të presin me qetësi rezultatin e zgjedhjeve pas mbylljes së procesit të votimit.

“Komentet që ne kemi marrë sot që Shqipëria po shpreh vullnetin e saj duke votuar. Votimi ka ecur mirë pa probleme pavarësisht disa gjërave të ndryshme të cilat do të hetohen. Ka ende 3 orë kohë ndaj thirrja jonë është për qytetarët që nuk kanë votuar ende. E dimë që sot është ditë e bukur por duhet të vini të votoni. Pas votimit prisni me durim rezultatin dhe për udhëheqësit politik kini durim të shihni se cili do jetë ky rezultat”, u shpreh ambasadori i BE.