Festa e Pashkëve për të krishterët ortodoksë këtë vit është jo e zakonshme. Kishat janë mbyllur në Gjirokastër nga situata e pandemisë së koronavirusit dhe besimtarët po i ndjekin shërbesat fetare përmes rrjeteve sociale. Që prej periudhës së komunizmit ku feja ishte e ndaluar me ligj besimtarët këtë vit nuk do të mund të shkojnë në vendet fetare.
Dyert e kishave ortodokse qëndrojnë të mbyllura dhe atmosferës së pashkëve do t’i mungojnë këtë vit në objektet fetare, besimtarët. Por shërbesat fetare ndiqen prej tyre përmes rrjeteve sociale apo mediave. At Theodhori Nikolla thotë se prej 28 vitesh kjo është hera e parë që ai i zhvillon shërbesat fetare pa besimtarë.
“Është Pashka e 28 që kremtoj unë si prift, hera e parë që më ndodh, jam ndier disi ngushtë dhe si i ndrojtur, por perëndia i shikon të gjitha”.
Që pas periudhës së komunizmit në Shqipëri ku besimi fetar ishte i ndaluar me ligj kjo është hera e parë që besimtarët do të qëndrojnë të mbyllur.
“Edhe në kohë të komunizmit ai që besonte vazhdonte të besonte edhe pse i mbyllur”, thotë zoti Nikolla
Edhe në këtë periudhë të izolimit prej Pandemisë thotë më tej zoti Nikolla besimtarët kanë simbolet e tyre udhërrëfyese.
“Kemi Noen nga Dhjata e vjetër, simbol i bindjes dhe izolimit. Bindja dhe izolimi i solli shpëtimin atij dhe fisit. Kështu që, edhe në këtë periudhë të pandemisë ne kemi treguar bindje , kemi qëndruar të izoluar dhe do të themi se do dalim të shpëtuar”
Ar Theodhori Nikolla përcjell edhe një mesazh për besimtarët ortodoksë.
“Unë do t’u uroj me gjithë zemër dhe me gjithë fuqinë e shpirtit tim ta përballojnë këtë sfidë të një armiku të padukshëm, të qëndrojnë afër njëri tjetrit, edhe pse janë disi larg sot nga kisha, të rrinë me mendje, me shpirt dhe me zemër atje, sepse siç kanë thëne etërit e shenjtë kisha është një anije shpëtimi dhe sot, ndoshta nuk u ndodhet pranë, po le ta quajmë se është ankoruar diku për të shpërndarë shpresë, besim dhe dashuri”.
Ndërkohë Buka e Bekuar e Pashkës dhe vezët e kuqe janë përgatitur si çdo vit nga sipërmarrjet e vogla dhe nuk do ti mungojnë atmosferës festive. Me besimtarët ortodoksë do të ndajnë urimet, këtë radhë në largësi, edhe besimtarët e feve të tjera që në Shqipëri e kanë traditë harmoninë ndërfetare./VOA