Në rastin e një “Brexit”-i të ashpër, një sërë ilaçesh mund ta humbisnin lejen e përdorimit. Alarmin e ka dhënë ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, i cili sqaron se bëhet fjalë sidomos për implante, stimulues kardiakë të zemrës, apo produkte me të cilat testohen sëmundjet si virusi i sidës.
Shkëputja e Britanisë së Madhe pa marrëveshje nga BE-ja mund të sjellë për pasojë edhe faktin që dhjetëra mijëra produkte apo aparate mjekësore do të humbisnin, me gjasë, lejen e përdorimit në vendet e bllokut dhe nuk do të gjenden më në tregun europian.
Si mund të ndodhë kjo? Për t’u përdorur në BE, produktet mjekësore duhet të kenë një leje të posaçme “CE”, e në të gjithë Europën ka qendra të posaçme certifikimi që e japin këtë vulë.
Në Britaninë e Madhe – shpjegon “Deutsche Welle”, – për këtë njihet “British Standards Institution”, apo BSI. Këto qendra janë të specializuara për produkte të caktuara. “BSI” për shembull është e specializuar për implantet.
Shumë prodhues të tyre i certifikojnë kështu produktet e tyre në Britaninë e Madhe. Nëse ky vend del pa ujdi me Brukselin, atëherë disa juristë mendojnë se do të shfuqizohet edhe leja e vlefshme në BE për këto produkte, duke bërë që ata të mos shpërndahen më jashtë Britanisë së Madhe.
Shqetësimin e ministrit e ka ndarë dhe Shoqata Federale e Teknologjisë Mjekësore në Gjermani, por ndërkohë, Komisioni Europian nuk po i kushton shumë vëmendje kësaj çështjeje.