Kjo është lëvizja më e madhe e forcave amerikane në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas ekspertëve, kjo lëvizje dobëson NATO-n dhe gëzon Presidentin rus Vladimir Putin.
Shtetet e Bashkuara po tërheqin thuajse 12 mijë trupa nga Gjermania, pas thirrjes së Presidentit Donald Trump për të reduktuar praninë ushtarake amerikane jashtë vendit. Departamenti i Mbrojtjes thotë se kjo lëvizje do ta forcojë sigurinë amerikane, por kritikët e shohin këtë hap si ndëshkim për një vend që zoti Trump e ka kritikuar se nuk ka plotësuar kuotën e shpenzimeve për NATO-n. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton nga Uashingtoni.
Disa ekspertë thonë se u befasuan nga vendimi i Shteteve të Bashkuara për të tërhequr 12 mijë trupa nga Gjermania, përfshirë zhvendosjen e avionëve luftarakë nga Baza Ajrore e Spangdahlemit në Itali dhe komandës amerikane në Evropë nga Shtutgarti në Belgjikë.
Është lëvizja më e madhe e forcave amerikane në uvropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper foli në Pentagon.
“Këto ndryshime do të përmbushin parimet themelore të fuqizimit të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s përballë Rusisë, forcimit të vetë NATO-s, sigurimit të aleatëve dhe përmirësimit të elasticitetit strategjik të Shteteve të Bashkuara dhe atij të Komandës amerikane në Evropë”, tha ai.
Por në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump e bëri të qartë se kishte edhe arsye të tjera për ndryshimet masive.
“Gjermania i detyrohet miliarda e miliarda dollarë NATO-s. Pse duhet t’i mbajmë gjithë ato trupa atje? Dhe tani Gjermania thotë se kjo dëmton ekonominë e saj. Por për ekonominë tonë është gjë e mirë. Gjermania nuk i ka plotësuar detyrimet”, tha ai.
Zoti Trump e ka kritikuar ashpër Gjermaninë për vite të tëra, duke e paraqitur si një problem ekonomik dhe jo si partnere të afërt dhe vëzhguesit kanë vënë re ftohtësinë mes tij dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.
Disa ekspertë thonë se njoftimi është një goditje ndaj marrëdhënies me rëndësi kritike SHBA-Gjermani, dobëson NATO-n dhe gëzon Presidentin rus Vladimir Putin.
“Zhvendosja e pranisë amerikane në Gjermani, që ka qenë atje prej dekadash dhe është një bazë e marrëdhënies sonë jo vetëm me Evropën, por me Gjermaninë, minon në thelb interesat e sigurisë amerikane. Mendoj se vëzhguesit janë të befasuar nga shpejtësia e lëvizjes së administratës në këtë drejtim”, thotë Mark Simakovsky i Këshillit të Atlantikut.
Ekspertë të tjerë thonë se lëvizja ka gjasa të dëmtojë interesat strategjike të vetë Amerikës, më shumë se sa Gjermaninë ose Europën.
“Gjermania ka qenë tradicionalisht dhe vazhdon të jetë një qendër shumë e rëndësishme për operacionet amerikane në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme. Atje ka qendra të rëndësishme komande dhe kontrolli. Me reduktimin e pranisë atje, përgjigjja do të jetë më e ngadaltë”, thotë Bruno Lete i Fondit Gjerman Marshall.
Ekspertë të sigurisë thonë se riorganizimi masiv i trupave do të kushtonte miliarda dollarë dhe të dojë vite për t’u realizuar dhe se vendimi mund të anulohet nëse kandidati demokrat për president Joe Biden fiton në zgjedhjet e nëntorit./VOA