Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar qeverisë të ftojë në vend Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, për të vlerësuar sigurinë dhe rezistencën e banesave të prekura nga tërmeti i i fuqishëm i para dy ditëve.
Në deklaratën e tij, kreu i shtetit thekson se është shumë e rëndësishme ruajtja e qetësisë dhe vlerësimi teknik i banesave është një hallkë e rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen.
Deklarata e Metës:
“Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerëson ruajtjen e qetësisë nga të gjithë dhe rëndësinë e frymës së bashkëpunimit dhe solidaritetit njerëzor, pa përjashtim, nga aktorët institucionalë, politikë, shoqërorë dhe mediatikë, për normalizimin e plotë të situatës, pas tronditjeve të ditëve të fundit. Transparenca dhe përgjegjshmëria maksimale për evidentimin e pasojave është tepër e rëndësishme në këto momente. Në veçanti, vlerësimi teknik i banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara është tepër i domosdoshëm për të ardhmen. Ndaj duke vlerësuar dhe solidaritetin e vendeve partnere dhe Bashkimit Europian, Presidenti Meta i kërkon qeverisë të ftojë zyrtarisht edhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, që ka kapacitetet e duhura për të përcaktuar sigurinë dhe rezistencën e banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara nga kjo fatkeqësi natyrore”.