Lista me kandidatët e mundshëm për të marrë drejtimin e kombëtares shqiptare pas dorëheqjes së Xhani De Biazit është shumë e gjatë, por FSHF-ja duket se i ka patur idetë e qarta dhe në ditët e kaluara e ka bërë ofertën e parë zyrtare.
I përzgjedhuri i presidentit Duka ka qenë trajneri i kombëtares B të Italisë, 55-vjeçari Masimo Pisheda, por ai e ka refuzuar ofertën.
Pisheda njihet në Itali si një trajner ekspert i moshave teksa ka drejtuar me radhë që nga viti 2001 Italinë U-16, U-17, U-18, U-19 dhe U-20.
Ai gjithashtu ka mbajtur rolin e zv. trajnerit te Mesina dhe te kombëtarja italiane U-18 dhe U-19.
Që prej vitit 2011 është në krye të kombëtares B dhe që nga 2015-a drejton gjithashtu kombëtaren italiane të universiteteve.
Pas refuzimit të Pishedës, në “pole position” duket se është Giancarlo Camolese.
“Sky Sport Italia” raporton se sot Camolese kishte një takim me zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit për të diskutuar kushtet dhe strategjinë.
56-vjeçari e filloi karrierën e tij të trajnerit në Torino, duke lëvizur më pas te Reggina, Vicenza, Livorno, Pro Vercelli dhe së fundi ishte pjesë e FC Chiasso në kampionatin zviceran.