Bota “Patatja e nxehtë e Krishtlindjes”- Çfarë po e përçan Zelenskyn dhe ushtrinë...

“Patatja e nxehtë e Krishtlindjes”- Çfarë po e përçan Zelenskyn dhe ushtrinë ukrainase

Një banore vendore duke kaluar pranë një afisheje rekrutimi për ushtrinë ukrainase në rajonin Dnipropetrovsk, Ukrainë. Fotografi ilustruese.

Kur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, ukrainasit u rreshtuan për t’iu bashkuar forcave të armatosura, në një shpërthim patriotizmi që frymëzoi botën perëndimore dhe sfidoi pritshmërinë e Moskës.

Tani, dy vjet më vonë, midis luftës së tmerrshme nëpër llogore, mungesës së përparimit në fushëbetejë dhe pasi kanë vdekur apo janë plagosur dhjetëra mijëra ushtarë, dëshira e madhe për t’u regjistruar në ushtri është duke u shuar qartazi.

Mungesa e rekrutëve të rinj përbën rrezik të madh për përpjekjet e Ukrainës në luftë kundër Rusisë – e cila e ka një popullsi tri herë më të madhe dhe po vazhdon të thërrasë burra në ushtri, përfshirë të dënuar me burg.

Befasia e Krishtlindjes

Natën e Krishtlindjeve, Qeveria ukrainase e paraqiti në Parlament projektligjin e shumëpritur për mobilizimin, duke nxitur përbuzje nga disa ligjvënës të opozitës.

Solomia Bobrovska, një deputete nga partia Holos, tha në një intervistë me Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë më 27 dhjetor projektligji u dorëzua në një kohë që kishte për qëllim që “askush të mos e vinte re”, duke e konsideruar atë si një taktikë “bolshevike”. Ajo kritikoi gjithashtu elemente të projektligjit.

Projektligji i mobilizimit u dorëzua në emër të kryeministrit Denys Shmyhal dhe ministrit të Mbrojtjes Rustem Umerov, dhe jo të presidentit Volodymyr Zelensky, i cili është komandanti i përgjithshëm. Disa ekspertë e morën këtë si një shenjë se presidenti ka frikë se popullariteti i tij i vlerësuar lart, mund të merrte një goditje.

Druzenko tha se Qeverisë mund t’i jetë caktuar detyra për ta paraqitur projektligjin dhe për t’u përballur me ndonjë kritikë, pasi besimi ndaj saj ka rënë dhe mbase nuk do të bjerë më shumë.

Sipas një sondazhi të Institutit Ndërkombëtar Sociologjik të Kievit (INSK), vetëm 26 për qind e ukrainasve kanë besim në Qeverinë e tyre, krahasuar me 52 për qind në dhjetor të vitit 2022.

Popullariteti i Zelenskyt u rrit dukshëm pasi Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës, kur ai nuk pranoi të ikte nga Kievi, edhe pse forcat speciale ruse kishin arritur buzë kryeqytetit.

Popullariteti i tij u përforcua dukshëm pas suksesit të Ukrainës në fund të vitit 2022 në zmbrapsjen e forcave ruse, duke bërë që 84 për qind e ukrainasve të thonë në atë kohë se i besonin atij, sipas INSK. Tani, popullariteti i Zelenskyt ka rënë në 62 për qind ndërkohë që lufta po zvarritet dhe përfundimi i saj nuk dihet.

Ndonëse ende është e lartë, rënia e mëtejme e besimit ndaj tij mund të sjellë probleme për Zelenskyn, nëse ai kërkon rizgjedhjen. Zgjedhjet presidenciale në Ukrainë ishin planifikuar të mbahen në pranverë, por ato do të shtyhen pas gjendjes së luftës të vendosur pas pushtimit rus.

Në një konferencë për shtyp më 19 dhjetor, para dorëzimit të projektligjit për mobilizim, Zelensky raportoi se udhëheqja ushtarake e Ukrainës kishte paraqitur propozimin për shtimin e deri në 500.000 trupave shtesë, duke shtuar se donte shpjegim për një kërkesë kaq të madhe.

Disa ditë pas kësaj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Valeriy Zaluzhniy, theksoi nevojën për më shumë rekrutime për të ndihmuar ata që kanë qëndruar në front për një kohë të gjatë dhe për të mbuluar humbjet e pritshme në vitin e ardhshëm.

Ai tha se Shtabi i Përgjithshëm ishte konsultuar me Ministrinë e Mbrojtjes për projektligjin, por versioni i përfundimtar ishte i Qeverisë, pasi ushtria nuk ka fuqi legjislative.

Druzenko parashikon se administrata presidenciale dhe ushtria do t’ia hedhin njëra-tjetrës përgjegjësinë për këtë projektligj sikur të ishte “një patate e nxehtë”.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Iryna Friz, anëtare e opozitës nga blloku Solidariteti Evropian, tha se Zelensky po përpiqet t’i ikë përgjegjësisë për projektligjin për të ruajtur popullaritetin e tij.

Oleksandr Korniyenko, nënkryetar i parë i Parlamentit dhe ish-kreu i Shërbëtorit të Popullit, hodhi poshtë idenë se Zelensky po përpiqej të ikte nga përgjegjësia, duke shtuar se projektligji ishte një produkt i bashkëpunimit me ushtrinë.

Megjithatë, Zelensky hoqi dorë nga përgjegjësia për projektligjin e mobilizimit. Më 26 dhjetor ai tha se “është e drejtë” që deputetët dhe ushtria të vendosin për numrin e trupave dhe nevojat e tjera për vitin e ardhshëm në seanca të hapura të Parlamentit. Ai gjithashtu deklaroi se zyra e tij do ta “presë tekstin përfundimtar të ligjit”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, majtas, dhe komandanti i forcave ta armatosura ukrainase, Valery Zaluzhny. Dnipro, korrik 2023.

Masat e Mobilizimit

Projektligji i mobilizimit kërkon rënie të kufirit të moshës së rekrutëve nga 27 në 25 vjeçe, ndalimin e përjashtimit të qytetarëve me aftësi të kufizuara të vogla nga shërbimi ushtarak, legalizon njoftimet digjitale për ftesën për shërbimin ushtarak dhe ua kufizon mundësinë atyre që e shmangin shërbimin ushtarak të kryejnë transaksione si, blerja ose shitja të pronave. Projektligji i ngarkon me përgjegjësi më të madhe qeveritë lokale për mobilizimin e trupave.

Ekspertët thanë se udhëheqësit lokalë mund të zvarrisin zbatimin ligjit nga frika se popullariteti i tyre mund të pësojë goditje. Ndërkohë, ministri i Transformimit Digjital, Mykhaylo Fedorov, nxitoi të deklarojë se superaplikacioni qeveritar, Diia, i lansuar nën udhëheqjen e tij dhe i shkarkuar nga miliona ukrainas, nuk do të përdoret për dërgimin e njoftimeve për thirrje në ushtri.

Deputetët e opozitës kanë shprehur kritika për disa aspekte të projektligjit, siç është kufizimi në transaksionet financiare dhe shumë prej tyre presin që versioni përfundimtar i ligjit të përmbajë ndryshime të tjera.

Projektligji pritet të kalojë në lexim të parë para datës 14 janar. Disa ekspertë parashikojnë që ligji të miratohet në fund të muajit.

Ukraina ua ndaloi shumicës së burrave të moshës 18 deri në 60 vjeçe të largohen nga vendi, por disa vazhdojnë ta bëjnë këtë, duke paguar rojet kufitare ose zyrtarë të tjerë.

Disa e shmangin thirrjen e detyrueshme për shërbim ushtarak me raporte mjekësore që mund të blihen, ndërsa të tjerë e injorojnë thirrjen. Vështirësitë për të rekrutuar burra ukrainas e kanë nxitur policinë t’i rrëmbejë rrugëve ata të cilët kanë shmangur thirrjet, duke krijuar skena që – kur ato bëhen virale në rrjete sociale – ngjallin reagime kundër autoriteteve.

Ndonëse një e treta e ukrainasve thanë se janë të gatshëm t’i kapin armët në dorë për të mbrojtur vendin e tyre, sipas një sondazhi, Yevhen Holovakha, drejtor i Institutit të Sociologjisë të Akademisë së Shkencave të Ukrainës, i tha Radios Evropa e Lirë se njerëzit mund të veprojnë ndryshe nëse marrin vërtet ftesën për shërbim të derytueshëm ushtarak.

Sipas tij pesimizmi është rritur mes ukrainasve në muajt e fundit, pas rezultateve të pakta të kundërofensive së verës së kaluar. Holovakha tha se zyrtarët dhe media kishin krijuar pritshmëri publike joreale për sukses.

Në të njëjtën kohë, numri i njerëzve të gatshëm për të shërbyer do të ishte më i madh nëse procesi i rekrutimit do të ishte i drejtë dhe i qartë, tha ai. Njerëzit duan të dinë se përse po rekrutohen, sa kohë do t’u kërkohet të shërbejnë, sa do të fitojnë, sa do të marrin familjet e tyre dhe çfarë do të ndodhë kur të kthehen, tha ai.

“Njerëzit sëmuren nga pasiguria,” tha Holovakha. “Dhe ky stres dhe këto sëmundje, si fizike ashtu edhe psikologjike, më së shpeshti lindin nga fakti se ata jetojnë në pasiguri.”

Dhjetëra gra dhe nëna luftëtarësh dolën në rrugë në fillim të këtij viti në dy raste në protesta të rralla të kohës së luftës për të kërkuar demobilizimin e të dashurve të tyre dhe rekrutimin e burrave të rinj. Sipas ligjit ushtarak të vendosur pas pushtimit të nisur nga Rusia, protestat publike janë të ndaluara.

Presidenti Zelensky është përpjekur të përballet me shqetësimet e publikut rreth procesit të mobilizimit. Ai në fillim të këtij viti shkarkoi drejtuesit e zyrave rajonale të rekrutimit pas akuzave për korrupsion. Gjithashtu, ai ka shprehur dëshirën për të parë planin e Shtabit të Përgjithshëm për mobilizimin.

Holovakha tha se Zelensky po vepron me kujdes, duke pasur parasysh situatën shumë të vështirë në të cilën ndodhet.

Tensionet

Debati mbi projektligjin dhe se kush merr përgjegjësinë për të mund t’i përkeqësojë marrëdhëniet e tensionuara mes Zelenskyt dhe Zaluzhnyt.

Udhëheqësi ushtarak në nëntor i tha magazinës The Economist se lufta ishte futur në një ngërç, një vlerësim i zymtë që minoi pikëpamjen më optimiste të administratës presidenciale për përparimin e Ukrainës dhe përpjekjet e ndërlikuara për të siguruar ndihmën ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.

Zelensky menjëherë e hodhi poshtë deklaratën se lufta ishte në një ngërç, ndërsa anëtarët e administratës së tij paralajmëruan ushtrinë që të mos bënte komente të tilla publike.

Muajin e kaluar, Maryana Bezuhla, nënkryetare e Komitetit Parlamentar të Mbrojtjes dhe anëtare e partisë së Zelenskyt, kritikoi publikisht Zaluzhnyn për gjoja dështimin e paraqitjes së një plani lufte të vitit 2024, ndërkohë që kërkonte mobilizim më të madh. Ajo ngriti mundësinë për shkarkimin e tij, të cilin disa e morën si mesazh nga administrata presidenciale.

Oleksiy Haran, drejtor i kërkimit në Fondacionin Ilko Kucheriv për Iniciativa Demokratike, i tha Radios Evropa e Lirë se shkarkimi i Zaluzhnyt do të kishte kundër efekt tek administrata, pasi udhëheqësi ushtarak gëzon një vlerësim më të lartë të popullaritetit se presidenti.

Holovakha tha se ukrainasit i lidhin fitoret e kombit të tyre në luftë me Zaluzhnyn dhe do të ishte e vështirë për Zelenskyn ta bindte publikun ndryshe.

Haran tha se shkarkimi i Zaluzhny do të ishte “një dështim, para së gjithash, për Zelenskyn”./REL