Parlamenti miratoi një ditë më parë me 102 vota ndryshimet në Kodin Rrugor që kanë të bëjnë me lehtësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është edhe ndalimi i shoferëve të rinj që të mos drejtojnë makina me fuqi motorike të lartë në 2 vitet e para. Konkretisht, drejtuesit me patentë të kategorisë B, në dy vitet e para të lëshimit, nuk u lejohet të drejtojnë mjete motorike me fuqi specifike, referuar masës bosh të mjetit, më të madhe se 55 KW/ton. Për makinat hibride elektrike ose plug-in, kufiri specifik i fuqisë është 65 KW/ton, duke përfshirë peshën e baterisë.
Kështu, patentat do të kenë afat vlefshmërie deri në 15 vjet, nga 10 vite që është aktualisht.
Vlefshmëria çdo 15 vite deri në moshën 70-vjeçare do të jetë për patentat e kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, çdo 15 vjet deri në moshën 70 vjeç!
Deri tani, kufizimet e afatit kanë qenë pasi mbushje 50 vjeç, por me ndryshimet e reja këto kufizime nisin pas moshës 70-vjeçare.
Një tjetër ndryshim që u miratua është zgjatja në 70 vjeç, nga deri 65 që është, e të drejtës për Leje Drejtimi profesionale (me kufizim: Lejedrejtimet e kategorive C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE, janë të vlefshme për 5 vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç; për personat mbi 65 vjeç: lejedrejtimi e kategorive C dhe CE lëshohet për drejtimin e mjeteve, masa e përgjithshme e të cilave, me ngarkesë të plotë, nuk është më shumë se 20 ton – lejedrejtimi e kategorive D1 ose D, apo D1E ose DE lëshohet vetëm për drejtimin e mjeteve shërbim taksi ose transport udhëtarë me mjet deri 8+1!)
Pjesë e paketës së ndryshimeve është gjithashtu zgjatja e të drejtës për ushtrimin e profesionit të Instruktorit të Autoshkollës deri në 70 vjeç, nga 65 vjeç që është!
Qytetarëve që u është anuluar patenta shqiptare për efekt konvertimi jashtë vendit, mund të rimarrin patentën shqiptare pa testim, drejtpërdrejt edhe nëse Leje Drejtimi e huaj ka skaduar, pasi e dorëzojnë atë dhe heqin dorë vullnetarisht prej saj.