Astrit Patozi, ish-koordinatori i Bindjes Demokratike, shprehet se “dueli, sa i ashpër, aq edhe qesharak për dominimin e Partisë Demokratike mes Berishës dhe Bashës, ka vetëm një aspekt pozitiv me dobi publike”.
“Mund të shërbejë si pika që derdh gotën për një kontigjent opozitarësh për të kuptuar se kjo mbyllje e shëmtuar e një raporti hipokrit mes të dyve është pasojë e një modeli të dështuar politik, që duhet braktisur një orë e më parë. Kam bindjen se rruga e vetme për ta përfaqësuar atë masë racionale njerëzish që refuzojnë qeverinë, por ndjehen të zhgënjyer, tradhtuar, madje edhe të turpëruar nga kacafytja që po ndodh në Partinë Demokratike është krijimi i një poli tjetër opozitar, që të mos ketë asnjë lidhje me atë proces rrënues, që po shtyhet fort sot vetëm për motive personale”, shkruan Patozi në Facebook.
Sipas Patozit, shqiptarët nuk kanë nevojë që të mblidhen rrotull një udhëheqësi të lavdishëm.
“Ne nuk kemi nevojë të mblidhemi rrotull ndonjë udhëheqësi të lavdishëm, sepse po e shohim live spektaklin e shëmtuar, që është në fakt humnera, ku të çon ai lloj keqkuptimi. Shqipërisë i duhet një projekt politik që të përbashkojë parti, shoqata apo dhe personazhe të jetës publike, të cilët duhet të angazhohen për një mënyre të re të të bërit politikë, në kostrast të fortë me kryetarokracinë, sëmundjen e rëndë që po gërryen sot Partinë Socialiste në pushtet, dhe Partinë Demokratike, në opozitë. Sipas meje, ai duhet të jetë një forum i hapur, i cili duhet të mirëpresë pa asnjë kufizim çdo element opozitar, që pranon të luftojë për një ndryshim thelbësor të politikëbërjes në Shqipëri, në bazë të një platforme të thjeshtë transformuese. Natyrisht, kjo është një ftesë që nuk vlen për ushtarët e verbër që janë rreshtuar në njërin prej kampeve ndërluftuese. Të cilët, në rastin më të mirë janë naivët, ose ata që të drejtën e të menduarit dhe të vepruarit ia kanë deleguar pa kushte udhëheqësve “të pagabueshëm”. Ata thjesht duhen mëshiruar”, shton Patozi.